Në Kosovë na pret mot i vranët dhe me reshje shiu. Reshjet që po bien në perëndim dhe veriperëndim do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme dhe do të përhapen drejtë lindjes së Kosovës. Vende-vende priten reshje mjaft intensive shiu si dhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në viset malore do të rifillojnë reshjet e borës. Temperatura maksimale edhe nesër do të jetë e lartë rreth 14 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Kosovën lindore nesër pritet të mbajë mot me vranësira dhe reshje shiu. Parashihen rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë e në viset malore do të fillojnë reshjet e borës.
Të premtën ulje e temperaturave dhe reshjet e borës do të fillojnë edhe në zona më të ulëta të Kosovës, por për shkak të prezencës së ajrit të ngrohtë vendet më të ulëta në Dukagjin mund të kenë ende reshje shiu. Nëpër zonat më të ulëta do të ketë “luftë” mes temperaturave, prandaj nga ajo varet lloji i reshjes atmosferike, shi gjegjësisht borë. Në Shqipëri të premtën priten reshje lokale shiu e bore në viset kodrinore-malore, por do të ulet intensiteti i reshjeve, shkruan Meteo Ballkan.
Për fundjavë na pret mot i vranët e me reshje shiu e bore. Reshje intensive shiu priten në Shqipëri, ndërsa në Kosovë e viset kodrinore-malore të rajonit priten reshje bore. Reshje bore priten në gati tërë territorin e Republikës së Kosovës, me mundësi që zonat më të ulëta mbidetare të vendit të kenë reshje shiu ose të përziera./MeteoBallkan