Moti i keq që ka përfshirë gjirin e Durrësit që nga dita e hënë ka sjellë jo pak problematika. Kompanitë e lundrimit kanë njoftuar shtyrje dhe pezullime të lundrimeve nga porti i Durrësit drejt brigjeve italiane dhe anasjelltas.
Pasi u pezulluan mbrëmjen e së martës, vetëm 2 tragete kanë rinisur lundrimet këtë të mërkurë.
Planifikuar për t’u nisur nga Durrësi në orën 8:00 të mëngjesit, “Rigel VII” ka mundur të niset por me disa orë vonesë.
Ndërkaq, trageti “Rigel III” është nisur rreth orës 3:00 të mëngjesit nga porti i Barit dhe është ankoruar në kalatën e portit të Durrësit në mesditë.
Nisja nga Ankona me tragetin “AF CLAUDIA” është shtyrë me 2 ditë, pas parashikimit për t’u nisur më datë 19, ndërsa “AF MARINA” pritet të niset mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Problematikat nuk kanë munguar as në qytet.
Shëtitores “Taulantia” i është rikthyer panorama e përhershme, sa herë qyteti përfshihet nga stuhitë, shkruan EuroNews.al
Dallgët e detit kanë arritur lartësinë 1.8 – 3 m këto ditë, ndërsa shpejtësia e erës që nga e hëna arrin deri në 25 m/s.