Ka arritur në 9 numri i personave që kanë humbur jetën nga tornadot që përfshinë Alabamën qëndrore.Videot tregojnë shkatërrimin që kanë lënë pas tornado ndërsa mijëra familje vijojnë të jenë pa energji elektrike. Qyteti Selma është ai që po vuan më rëndë pasojat. Autoritetet kanë bërë të ditur se numri i viktimave do të vijojë të rritet.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkojnë për njerëz të zhdukur në kontenë Autauga në Alabama, ku janë raportuar shtatë vdekje. Stuhitë dëmtuan deri në 50 shtëpi në qarkun Autauga.
Dëme të konsiderueshme u rregjistruan edhe në Georgia dhe Misisipi. Ndërkaq në anën tjetër, në Kaliforni, liqeni Cachuma në kontenë ‘Santa Barbara’ ka arritur kapacitetin pas disa javësh shiu, duke rritur shpresat për shmangur thatësirën e vazhdueshme. Liqeni tani është në nivelin 100% ndërsa një javë më parë ishte rreth 33%.
Gjithashtu një pjesë e madhe e tokave bujqësore në Kaliforninë qëndrore janë përmbytur për shkak të fryrjes së lumit Salinas. Rreth 19 njerëz kanë humbur jetën mes të cilëve 2 persona humbën jetën gjatë kësaj jave në kontenë Sonoma në veri të San Franciskos. Pronarët e bizneseve dhe familjet në Merced, Kaliforni po llogarisin koston e motit shkatërrues,transmeton TV Klan.
Autoritetet kanë bërë të ditur se dëmet janë katastrofike dhe do të duhen disa muaj që njerëzit t’i rikthehen normalitetit. Shteti tashmë është goditur disa herë nga moti i keq gjatë 2 javëve të fundit.