Pritjes i erdhi fundi, pas 3 vite e gjysmë Teatri Kombëtar i Kosovës u bë me drejtor te ri. Në krye të këtij institucioni u përzgjodh regjisori Kushtrim Mehmeti, shkruan InLajmi.
Kushtrimi këtë javë vjen në një interviste ekskluzive për Gazeten InLajmi për të dhënë detaje nga konkurimi e deri tek posti, sikur edhe për sfidat që e presin në rrugëtimin e ri.
InLajmi: Pse zgjodhët të konkuronit për drejtor të Teatrit të Kosovës?
Kushtrim Mehmeti: Teatri Kombëtar i Kosovës që 3 vite e gjysmë nuk ka pasur Udhëheqës Artistik, ka funksionuar me ushtrues detyre, kjo është shtysa më e madhe e cila me ka bërë të konkuroi. Gjithashtu njëra nga shtysat tjera është edhe puna si regjisor në teatro të ndryshme dhe përballja me disa probleme të cilat mendoj se mund të rregullohen dhe që do të tentoj të punoj e ti ndreqi ato. Krejt në fund mendoj që edhe karrierës time si artist i duhet një pozitë si kjo e cila mendoj se do me jap shumë.
InLajmi: Cilat ishin emocionet tuaja pasi morët vesh se jeni drejtor i ri i Teatrit Kombëtar të Kosovës?
Kushtrim Mehmeti: Është gjithmonë emocion i veçantë kur merr lajme të mira, kjo shumëfishohet kur pranon lajmin që je përzgjedhur si Udhëheqës Artistik i një institucioni që e ke ëndërruar gjithmonë dhe që të emocionon sa herë hyn brenda tij qoftë vetëm për ta përcjell një shfaqje a një vizitë rasti. Procesi i përzgjedhjes ishte tejet sfidues dhe ndoshta gjatësia e bëri edhe të lodhshëm, por ky fillim i vitit 2023 me gjasë filloj në mënyrën më të mirë.
InLajmi: Teatri i Kosovës është përfolur për parregullsi e sfida të shumta gjatë këtyre viteve, a mendoni se do ia dilni mbanë me sfidat që të presin?
Kushtrim Mehmeti: Udhëheqësi Artistik është një pozitë tepër sfiduese çdo herë, por kur llogaritet gjendja momentale e teatrit kjo sfidë është më e madhe por me punë, guxim e vullnet, bashkëpunim me stafin e ansamblin rezident, bashkërendim e ndihmë prej institucioneve gjegjëse, mendoj se do ia dalim ta kthejmë teatrin në vendin ku e meriton.
InLajmi: Cilat janë disa nga prioritetet tuaja tani si drejtor i teatrit?
Kushtrim Mehmeti: Disa nga prioritetet do jenë si kultivimi i vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare. Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit.
InLajmi: Premtimi juaj për artistët e rinj, mbështetje për projekte apo edhe ngritjen e pagave që vazhdimisht ka ankesa?
Kushtrim Mehmeti: Duke u bazuar në historikun e teatrit, në misionin, vizionin dhe veprimtarinë e teatrit, në ligjin për teatro, statutin dhe rregulloret ekzistuese për teatrin konsideroj që ka hapësira të mjaftueshme me të cilat do të mund të punonim për ta sjellë teatrin në një nivel të kënaqshëm dhe të kontribuojmë për ngritjen e tij për nga cilësia e vëllimi i punës. Libona Gegaj /InLajmi/