Në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga lokale shiu, ndërsa në viset kodrinore-malore parashihet të ketë fjolla të herëpashershme bore. Reshjet do të jenë të pakta dhe do ti kushtëzojë një fronti i dobët, i ftohtë ajror i cili do të depërtojë nesër në rajon dhe i cili është i varfër me lagështi. Temperaturat pritet të luhaten nga 0 deri në 7 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Kosovën lindore nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët, por në disa rajone parashihen edhe intervale kohore me diell, ndërsa reshje lokale priten dhe do të jenë të pakta.
Të dielën na pret mot stabil dhe ,e rritje të lehta të temperaturave. Priten vranësira dhe intervale kohore me diell, por pa reshje atmosferike.
Nga e hëna fushat e fuqishme ajrore me presion të ulët atmosferik do të fillojnë të ndikojnë në rajonin tonë duke kushtëzuar fuqizim të erërave jugore dhe shtim gradual të vranësirave. Vende-vende priten edhe reshje shiu, ndërsa temperaturat shënojnë rritje përkundër vranëriave dhe shiut për shkak të rrymimeve të fuqishme ajrore nga Afrika Veriore drejt viseve tona.
Reshje intensive priten në veri të Shqipërisë dhe veriperëndim të Kosovës, ndërsa gjatë ditëve vijuese reshje priten në tërë rajonin herë pas here dhe vende-vende intensive. Po ashtu priten edhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në viset e larta malore priten reshje bore, por të cilat mund të bëhen shi herë pas here për shkak të rritjes së temperaturave edhe në zonat malore për arsye të erërave të ngrohta jugore.