Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit Derek Schole, në një bisedë të sinqertë dhe përmbajtësore janë diskutuar 4 tema kyçe, transmeton InLajmi.
Vuçiq tha se me Schole më së shumti është biseduar për Kosovën, por edhe për dialogun strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, si dhe për situatën në rajon dhe në Ukrainë.
“Kemi pasur një bisedë të hapur, të sinqertë dhe kuptimplotë për 4 tema kyçe, kemi biseduar për Kosovën, marrëdhëniet bilaterale, situatën në rajon dhe Rusi-Ukrainë. I falënderoj për këmbëngulësinë në formimin e Asociacionit. Nuk do të jetë e lehtë, por është mirë që tani është plotësisht e qartë se Asociacioni duhet të formohet”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti Vuçiq, tha se gjatë takimit me Schole është diskutuar edhe për planin franko-gjerman dhe vijat e kuqe që ka Serbia.
“Çdo formë e njohjes apo pranimit formal dhe joformal të Kosovës në OKB është vija jonë e kuqe. Këto janë gjëra për të cilat as nuk duam të flasim. A do të ndryshojë Amerika qëndrimin e saj ndaj Kosovës, nuk do ta ndryshojë. Dje, Schole tregoi respekt për Serbinë. E mira është se ata duan të dëgjojnë se cilat janë pritjet e Serbisë dhe serbëve. Në fund të fundit, të gjithë e dinë se gjithçka është shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, tha Vuçiq.
Duke komentuar sulmet ndaj djalit të tij Danilon, Vuçiq tha se e gjitha ishte thjesht urrejtje ndaj meje, pa asnjë argument./InLajmi/