Të mërkurën, salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” u mbush plot me artdashës e artistë të skenës, jo për të ndjekur apo aktruar në një shfaqje, por për të festuar 70-vjetorin e krijimit të teatrit të Durrësit.
Me dekada të tëra mbi supe, ky teatër erdhi në këtë përvjetor me një bagazh artistik të pasur, për të cilin artistët festuan mes lotësh, duartrokitjesh e përmallimin për artistët që sot nuk jetojnë më.
Me një prelud dokumentar, publiku në sallë pati mundësinë të njihej me historikun e gjatë, të vështirë dhe të bukur të 7 dekadave jetë të trupës teatrale të Durrësit, që nisi në janar të vitit 1953.
Spektatorë të vetë rezymesë së punës artistike ndër vite, ishin artistët, të gjallë e të ndjerë, që kanë lënë gjurmën e tyre në skenën e këtij teatri dhe jo vetëm.
“Me njerëz të bukur në skenë, me njerëz të bukur në sallë, me njerëz që kanë kontribuar. Sot jam shumë e lumtur, që një pjesë e mirë e tyre janë kujtuar. Sigurisht ka mbetur edhe një pjesë tjetër, por unë shpresoj që vlerësimet të vazhdojnë, sepse nëse vlerësojmë artistët, kemi vlerësuar një pjesë të historisë sonë”, tha Driada Dervishi.
Këtë pohojnë edhe aktorë e regjisorë, të cilët në këtë përvjetor apelojnë për më tepër vëmendje ndaj artit.
“Ky është problemi i mbarëshqiptarëve, i përgjithshëm. Pak janë kthyer sytë nga arti në përgjithësi në të gjitha veprimtaritë, jo vetëm teatrore, nga asnjë qeveri”, u shpreh regjisori Haxhi Rama.
“Çfarë bëjnë hallkat e tjera të bashkisë dhe direkt ata që merren me sektorin e kulturës? Unë nuk di të kenë ardhur ndonjëherë të kenë bërë ndonjë takim a të bëjnë ndonjë analizë dhe kjo është ajo që çalon”, theksoi Xhelal Tafaj, shkruan EuroNews.al
Në këtë përvjetor u nderuan me çertifikatë mirënjohjeje 16 aktorë e regjisorë, ndërsa interpretuan edhe një herë përpara publikut, 4 ikonat e skenës durrsake: Aishe Stari, Hysen Bashhysa, Xhelal Tafaj dhe Sanie Hoti.