Buxheti rreth 3.2 miliardë euro i ndarë nga Qeveria e Kosovës po shihet si një kopje e vitit të kaluar. Kështu vlerëson Koordinatori për Ekonomi dhe Financa në Kabinetin për Qeverisje të mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.
Mustafa thotë se në brendësi të investimeve kapitale shihet se nuk ka ndonjë risi.
“Sa i përket buxhetit për vitin 2023, ky buxhet është vetëm një kopje e buxhetit të vitit 2022, sidomos nëse e shohim pjesën e investimeve kapitale, shohim që 75% e buxhetit të ndarë për investime kapitale shkon për investime të parapara të realizohen në vitin 2022, por që nuk janë realizuar në atë vit dhe planifikohet, se nuk e dimë a do të realizohen a jo në vitin 2023. Kjo tregon që kësaj Qeverie po i duhen dy vite për t’i realizuar punët e parapara për një vit, me kusht që ato projekte realizohen në vitin 2023″, tha ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Sipas anëtarit të PDK-së, Qeveria Kurti nuk po e trajton fushën e investimeve kapitale me seriozitetin e duhur, teksa siç thotë ai, kjo është kategoria më e rëndësishme e shpenzimeve me të cilat Qeveria e shton vlerën në ekonominë e vendit.