Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesë për inicimin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për Paga.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga IKD-ja me anë të një komunikate për media, duke thënë se kanë vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut.
Nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë konfirmuar se kanë pranuar një kërkesë të tillë.
Por, për pezullimin ose jo të këtij ligji vendos vetëm Gjykata Kushtetuese.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se janë në pritje edhe të ankesave të tjera, duke shtuar se nuk kanë afat të caktuar se për sa kohë mund t’i analizojnë.
“Nuk e di sa më merr kohë sepse jemi duke prit edhe ankesa të tjera, kemi pas paralajmërime që kanë me sjellë edhe zyrtarët tjerë ankesa, ne do të presim disa ditë me i mbledhë të gjitha ankesat dhe pastaj duhet me hy me i analizua, dhe me i shqyrtua. Nuk e kemi një afat të caktuar, nuk mundem me ju dhënë një kohë të caktuar, por po besoj sa më shpejtë që është e mundur pasi që është në interes të të gjitha palëve, ne do të mundohemi që shpejtë me dhënë përgjigje”, ka thënë ai për Front Online.
Ai shtoi se nëse Ligji i Pagave dërgohet në Kushtetuese, lënda do të kryhet me prioritet.