Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas plagosjes së 2 të rinjve në Shtërpcë duke e cilësuar si rast mjaft shqetësues, përcjell InLajmi.
Molliqaj tha se Kosova duhet t’i trajtojë qytetarët e saj si të barabartë pavarësisht përkatësisë kombëtare apo përkatësive tjera, gjithashtu shtoi se atmosferën e urrejtjes midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë po e nxisin deklaratat dhe veprimet luftënxitëse të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Ai gjithashtu tha se situatën e rëndon edhe më shumë fakti i moshës 11 vjeçare e njërit prej tyre, duke u shprehur se edhe më shqetësues është fakti se personi i dyshuar për sulmin është pjesëtar i FSK-së, ky rast duhet zbardhet në tërësi dhe të gjykohet në mënyrë meritore, shtoi Molliqaj.
Postimi i plotë i tij:
Rasti i raportuar në media për ngjarjen në Shtërpcë është i rëndë dhe tejet shqetësues. Dy të rinj, qytetarë serbë të Kosovës janë plagosur në një incident, motivet e të cilit ende nuk dihen.
Kosova duhet t’i shohë dhe t’i trajtojë qytetarët e saj si të barabartë, pavarësisht përkatësisë kombëtare, apo përkatësive tjera. Ne e shohim qytetarin si element përbashkues. Kjo është përgjigja para tendencave që synojnë ndarje etnike e territoriale.
Situatën e bën më të rëndë dhe tragjike mosha 11 vjeçare e njërit prej tyre. Asnjë motiv, asnjë rrethanë dhe asnjë situatë nuk e arsyeton drejtimin e armës ndaj një 11 vjeçari. Tejet shqetësues është po ashtu fakti se personi i dyshuar për sulmin është pjesëtar i FSK-së. Ky rast duhet të zbardhet në tërësi dhe të gjykohet në mënyrë meritore.
Atmosferën e urrejtjes midis shqiptareve dhe serbëve në Kosovë po e nxisin deklaratat dhe veprimet luftënxitëse të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Ata pas secilit tensionim po nënshkruajnë marrëveshje, kurse konflikti në derë po u mbetet qytetarëve./InLajmi/