Politologu Fidan Ukaj ka thënë se vizita e emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në Kosovë është fillimi i një dinamike të re që pritet në këtë vit dialogu me Serbinë.
Ukaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se nën trysninë ndërkombëtare po provohet që të shtyhet përpara projekti franko –gjerman për dialogun.
“Vizita është fillimi i një dinamike të re që pritet tash në vitin 2023, ashtu siç është paralajmëruar nga emisarët ndërkombëtarë. Emisarët po mundohen nën trysninë ndërkombëtare do të provohet që të shtyhet përpara tashmë projekti franko-gjerman, që të arrihen afatet e përcaktuara, ashtu edhe siç janë deklaruar që muaji mars të jetë muaji i finalizimit të kësaj marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Ukaj thotë se është skeptik se do të ketë një marrëveshje në afate të përcaktuara.
“Unë jam shumë skeptik se do të kemi një marrëveshje në afate të përcaktuara, sepse lëvizjet e Serbisë nuk çojnë në atë drejtim”, ka thënë ai.