Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në lidhje me siç thotë ai ”diskursin e luftës“, përcjell InLajmi.
Shefi i Grupit Parlamentar tha se nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
E kjo retorikë sipas Tahirit i ka bërë vendit shumë dëm pasi sipas tij asnjë investor i huaj nuk do të të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset.
Tutje Tahiri tha se rezultati i këtij diskursi është ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive.
Postimi i plotë i tij:
Në vitin 2023, kemi hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë 2022-tës. Përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij?
Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër. /InLajmi/