Shqetësuese kanë qenë së fundi raportimet për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Reagime të shumta pati pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.
Xhavit Haliti me këtë rast ka deklaruar se si anëtar të Komisionit, nuk kanë ndonjë informatë zyrtare për kinse tërheqjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga 9 shtete.
Sipas tij, Serbia ka qenë e angazhuar që të bëjë organizime të tilla në mënyrë permanente për çnjohje.
Ndërsa për vërtetësinë e këtyre deklaratave, Haliti mbeti skeptik për shkak të mungesës së informacioneve nga ministria përkatëse.
“Nuk kam asnjë informatë zyrtare. Besoj që Serbia ka qenë e angazhuar këtyre 2 vitet e fundit në mënyrë permanente që të organizoj veprime të tilla që do të thotë për ç’njohje. A janë të vërteta apo nuk janë të vërteta unë nuk mund ta them sepse ne nuk kemi informacion zyrtarë nga ministria përkatëse”, tha ai.
Ai e konsideron të rastësishme pozitën e ministres Donika Gërvalla, derisa tha se ajo duhet të informoj në detaje që pastaj të flitet në detaje.
“Nuk mund të spekuloj si opozitar në këtë rast sepse rastësisht ka qëlluar Donika Gërvalla ministre e Punëve të Jashtme. Kjo ka ndikim që të vijë në Komision dhe të na informoj në detaje së çfarë ka ndodhur pastaj mund të flasim”, tha ai.
I pyetur se si e sheh punën e ministres Gërvalla, ai tha se flasin argumentet. Sipas tij, suksesi nuk varet vetëm nga Donika Gërvalla, por dhe nga politikat shtetërore që ka Kosova.
“A ka pasur sukses apo nuk ka pasur sukses flasin argumentet. Suksesi nuk varet vetëm nga Donika suksesi varet nga politikat shtetërore që ka Kosova nga angazhimet e gjithanshme dhe nga vendimet që merren qoftë në Qeveri, qoftë në institucione të tjera”, theksoi ai.
Haliti tha se suksesi i Kosovës varet nga politika e jashtme dhe aleatët strategjik. Ndërsa në lidhje me zhvillimet e diplomacisë, Haliti e konsideroi të pa mjaftueshme punën e MPJ-së, por mendon se nuk ka pasur se çfarë të bëjë.
“Politika e jashtme është në varësi të aleatëve tanë strategjik dhe për aq sa kohë ata angazhohen edhe ne mund të jemi të suksesshëm ose jo. Nuk mendoj që ka bërë mjaftueshëm, por mendoj se s’ka pasur se çfarë të bëjë”, foli ai për lajmi.net.
Ndryshe deklarimet për tërheqjen e njohjeve nga 9 shtete ndikuan në reagimet e shumta nga zyrtarët shtetërorë në vend. Pavarësisht kësaj, nga Ministria e Punëve të Jashtme vazhdojnë të jenë të heshtur në lidhje me këtë situatë.