Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me çnjohjet ka nxitur reagimin e opozitës dhe shume fytyrave të ndryshme publike, përcjell InLajmi.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ishte njëri nga personazhet publike që reagoi për këtë çështje, ku tha se Serbia është duke e goditur kudo Kosovën.
Hoxhaj shtoi se Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim dhe se qeveria duhet të sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet për çnjohje.
Postimi i plotë i tij:
Një kaos qëndrimesh, kërcënimesh dhe gabimesh i një politike të jashtme shterpe tregojnë që Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim! Për 2 vjet, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të vetme!
Përkundrazi, Serbia është duke e goditur kudo Kosovën. Nga goditja kundër sovranitetit të brendshëm në veri në fundvit tani po i shtohet edhe rrudhja e sovranitetit të jashtëm në fillimvit, me një listë pretendimesh për çnjohje të Kosovës!
Sa kam qenë Minister i Jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete, ndërsa sot, qeveria duhet te sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet se Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bejë me interesin vital të Kosovës që të tregohet nëse këto pretendime janë të vërteta dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme për këtë dështim! /InLajmi/