Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku komentoi deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se deklaratat politike nga Beogradi gjithmonë duhet të merren me rezerva, përcjell InLajmi.
Sipas nënkryetares së PDK-së këto deklarata synojnë krijimin e mjegullës dhe hutisë në Kosovë.
Mirëpo Çitaku shprehet e shqetësuar me heshtjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, karshi këtyre deklaratave për tërheqjen e njohjeve.
Postimi i plotë i saj:
Nga përvoja, gjithmonë duhet marrë me rezervë deklaratat nga Beogradi. Në raport me Kosovën ata vazhdimisht synojnë të krijojnë mjegull dhe huti. Çka thonë eksponentët në Beograd nuk e trajtoj kurrë si të mirëqenë. E di çka kanë thanë për mua dhjetëra herë. Veç alien nuk më patën bërë.
Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë./InLajmi/