BE ndodhet larg autonomisë strategjike, megjithëse në një botë krizash dhe me rënien e mbështetjes së SHBA, ajo do të jetë më e pavarur. Por duket se është më e lehtë të flitet për autonomi në BE se sa të bëhet realitet.
Në Berlin dhe Bruksel u dëgjua një psherëtimë lehtësimi, kur në nëntor u bë i ditur rezultati i zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA. Kalimi i pushtetit tek republikanët në Kongresin Amerikan nuk doli aq sa pritej. dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump është më i dobët pas këtyre zgjedhjeve. Nën Donald Trump marrëdhëniet transantlantike u ftohën. Por europianët nuk duhet të gëzohen shpejt, thotë Thorsten Benner, drejtor i Institutit “Global Public Policy” në Berlin.
Benner shkroi se “Joe Biden me gjasë do të hyjë në histori si transatlantiku i fundit.” Epoka e mbështetjes zemërgjerë në politikën e sigurisë ka marrë fund, pavarësisht se kush zgjidhet president në të ardhmen në Shtëpinë e Bardhë, kjo sepse në të ardhmen SHBA do të përqëndrohet shumë më tepër tek Kina.
Autonomia strategjike – pjesë e programit qeveritar të Berlinit
Një SHBA që shkëputet ngadalë nga Europa, një Kinë si fuqi botërore gjithnjë e më agresive, një Rusi e Putinit që sulmon një shtet të pavarur pa arsye – kjo është situata gjeopolitike në të cilën gjenden europianët. Lufta në Ukrainë erdhi papritur gati për të gjithë, por zhvillimet e tjera jo. Në BE dhe kryeqytetet e tjera europiane janë nxjerrë ndërkohë konkluzionet: përgjigja ndaj këtyre zhvillimeve është përmbledhur në shprehjen “autonomi strategjike”, që nënkupton që BE duhet të veprojë e pavarur nga fuqitë e tjera botërore në aspektin politik, ushtarak, dhe ekonomik.
Josep Borrell, i ngarkuari për Politikën e Jashtme të BE, në një analizë për Europën ka shkruar, se Europa kërcënon të “humbasë rëndësinë”. Ai e argumenton këtë me rënien e peshës politike të Europës në botë.
“Para 30 vjetësh një çereku i mirëqenies botërore ishte në kontinentin tonë. Pas 20 vjetësh pjesa jonë në kapacitetin ekonomik botëror do të përfshijë më së shumti 11%. Autonomia strategjike është “çështje e mbijetesës” për BE.
Edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane të vitit 2021 theksohet se “duam të rrisim sovranitetin strategjik të Europës. Qëllimi ynë është një BE sovrane si aktore e rëndësishme në një botë të përcaktuar nga pasiguria dhe konkurrenca e sistemeve.”
Kritika ndaj vetëkënaqësisë gjermane
Por në cilën fazë ndodhen BE dhe Gjermania përgjatë kësaj rruge?
European Council on Foreign Relations, publikon indeksin e sovranitetit europian që mat sovranitetin në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, shëndetit, migracionit, teknikës dhe klimës konstaton një masë të madhe sovraniteti në drejtim të ekonomisë dhe shëndetit, jep vlerësim të kënaqshëm në drejtim të mbrojtjes, klimës dhe migracionit. Problematike duket fusha e teknologjisë. Në këtë pikë BE është shumë e varur. Në qershor 2022 u mat çdo vend europian dhe se çfarë kontribuon në sovranitetin e Europës. Gjermania ka dalë më mirë në këtë hulumtim të ECFR, për shkak se është e fuqishme në shumë sektorë dhe investon në “aftësinë vepruese të Unionit” dhe publikisht kërkon sovranitet europian.
Por një minus të madh e ka edhe Gjermania: Megjithë fuqinë ekonomike, në drejtim të kontributit për sovranitetin europian ky vend renditet i pesti. Në hulumtim thuhet se kjo “reflekton pjesërisht vetëkënaqësinë gjermane në drejtim të varësisë nga Rusia dhe Kina”. Autorët e studimit janë të mendimit, se Gjermania duhet ende të mësojë nga gabimet e së shkuarës.
Jo të gjithë në Europe me të njëjtin qëllim
Europa është ende larg arritjes së autonomisë strategjike, është i mendimit Henning Hoff nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme.
“Në politikën e mbrojtjes dhe sigurisë, këtë e tregoi sulmi rus ndaj Ukrainës, europianët janë të varur nga amerikanët.” Kjo vlen si për kërcënimin nuklear, si edhe për forcat e armatosura konvencionale. “Nuk ka dyshim: Nëse Ukraina do të ishte varur tek Europa, sot ky vend nuk do të ekzistonte më.”
Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon pavarësim të Europës në çështjet ushtarake. Franca është i vetmi vend në BE me armë atomike pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në fillim të dhjetorit në Konferencën e Sigurisë të Berlinit ka paralajmëruar nga një pavarësim europian në politikën e mbrojtjes.
“Unë nuk besoj tek ‘Europa vetëm’ dhe as tek ‘”Amerika vetëm'”, tha ai. Vetëm NATO mund të garantojë sigurinë. Ai kujtoi se vendet e BE japin vetëm 20% të shpenzimeve të mbrojtjes në NATO; 80% vijnë nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja apo Turqia.
Europianët po ashtu janë të përçarë, kur vjen fjala për autonominë ushtarake: nëse do të pyeteshin vendet baltike dhe Polonia, duhet që SHBA dhe NATO të luajnë një rol të fuqishëm në Europë. Mihai Chihaia nga instituti i Brukselit, European Policy Center beson, se interesat e ndryshme janë të pajtueshme. “Një BE më e aftë do të kontribuonte në sigurinë transatlantike dhe do të plotësonte NATO-n.”
Interesat e Kinës për portet
Në drejtim të autonomisë strategjike nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë dhe mbrojtjen. Politika e tregtisë dhe e industrisë, financat dhe investimet janë po ashtu me rëndësi. Europianët kanë mbajtur lart multilateralizmin dhe tregtinë e lirë, edhe kundër Trumpit. Por ndërkohë edhe Josep Borrell e pranon, se “mpleksja ekonomike do të jetë shumë konfliktuoze në anën politike”: në kohën e pandemisë u ndërprenë rrjetet e furnizimit; Kina krijon me vetëdije varësi; Rusia mund të ndalë kur të dojë rubinetin e gazit, shkruan DW.
Tek sektorët që duhen mbrojtur veçanërisht në marrëveshjen gjermane të koalicionit bën pjesë furnizimi me energji. Se sa e varur është Gjermania në këtë pikë e tregoi lufta e Ukrainës. Po sot? A ka mësuar Gjermania? Kritikët e akuzojnë kancelarin Scholz, se ai pa nevojë lejoi marrjen e pjesshme të teminalit të portit të Hamburgut nga një firmë kineze, Cosco, duke u futur në varësi.
“Pikërisht këtu nevojitej një përgjigje europiane më mirë, si për shembull një “iniciativë europiane e portit’, që do të siguronte që firmat kineze nuk ia kundërvënë njëri-tjetrit portet, ose bëjnë presion”, thotë studiuesi Henning Hoff. Nga ana tjetër pas kësaj qeveria gjermane refuzoi 2 investitorë kinezë që donin të blinin sipërmarrje elektronike gjermane.