Deputetët e LVV-së në Komisionin për Buxhet në mbledhjen e fundit nuk miratuan Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Pavarësisht kësaj, kjo nismë shkon në Kuvendin e Kosovës pa përkrahjen e Komisionit përkatës.
Ky projektligj pritet të shkojë në Kuvend në seancën e parë të këtij viti.
Kështu ka njoftuar dje deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë ka dalë me qëndrim se është kundër tërheqjes së Trustit.
E një mendim ndryshe e ka deputetja e Grupit Multietnik, Duda Balje.
Ajo thotë se do të votojë pro Trustit.
Balje ka treguar se në grupin e saj gjysma e deputetëve janë pro Trustit, e gjysma tjetër kundër.
“Unë do të votoj për Trustin, sepse jam duke e kuptuar gjendjen financiare dhe unë jam bashkë me qytetarët e di që është një vendim kundër Qeverisë por për këtë Projektligj unë do të votoj pro. Në grupin tonë parlamentar gjysma janë pro dhe gjysma kundër”, tha Balje për Front Online.
Ndryshe, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar disa herë kundër kësaj nisme, duke thënë se paratë e Trustit janë për qytetarët kur të dalin në pension, e jo që t’i shfrytëzojnë ato mjete tash.