Pas situatës së fundit të krijuar në veri të Republikës së Kosovës, Serbia edhe zyrtarisht i ishte drejtuar NATO-s me kërkesë për vendosjen e 1.000 trupave në Kosovë me pretekstin se populli serb që jeton në veri “ka nevojë për mbrojtje”.
Nga KFOR-i kanë thënë se ende janë duke e shqyrtuar atë kërkesë të Serbisë, ndërkohë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës kanë thënë se shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock ka potencuar qysh në dhjetor se një kërkesë e tillë e Serbisë për dërgimin e forcave ushtarake në Kosovës është krejtësisht e papranueshme.
“Siç ka deklaruar publikisht Ministrja e Jashtme Baerbock në Twitter më 11 dhjetor 2022: “Propozimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është plotësisht i papranueshëm”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
Tutje, Ambasada gjermane në Prishtinë thekson se qëndrimi i Berlinit zyrtar është se e vetmja rrugë për të shmangur tensionet dhe për të normalizuar përfundimisht raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë është dialogu.
Gjithashtu theksojnë se normalizimi i raporteve është parakusht për anëtarësimin në Bashkim Evropian për të 2-ja, Kosovën dhe Serbinë.
Për këtë arsye, potencojnë se Gjermania përkrah plotësisht përpjekjet e emisarit sllovak Miroslav Lajçak për lehtësim të mëtejshëm të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Vazhdimi i dialogut është e vetmja rrugë për të shmangur tensionet dhe për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu është një parakusht për anëtarësimin e tyre të ardhshëm në BE. Prandaj Gjermania i mbështet plotësisht të gjitha përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak në lehtësimin e mëtejmë të dialogut.”, përfundon përgjigja për Gazetën Express.
Qëndrimi gjerman për kërkesën serbe e ka penguar lidershipin e Serbisë të cilët s’kanë nguruar që të sulmojnë zyrtarët gjermanë, përfshirë ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic e kishte quajtur diplomatin gjerman si “anti-serb”.