Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Evropë, që arrijnë deri në 50 orë në javë.
Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Evropian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në 5 vjet nëpërmjet anketimeve me 70.000 punëtorë në 36 vende europiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me 2 faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së 2-ti niveli i lartë i të vetë-punësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36 % të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor).
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.
Java klasike 40-orëshe mbeti standard në vitin 2021 në shumicën dërrmuese të vendeve, përveç Francës (35 orë), Danimarkës (37 orë), Norvegjisë (38 orë) dhe Zvicrës (42 orë). Rreth 20% e të gjithë punëtorëve (31 % e grave dhe 12 % e burrave) punonin 34 orë ose më pak në javë.
Në vitin 2021, rreth gjysma e burrave dhe grave punonin midis 35 dhe 40 orë në javë. Mesatarisht, të vetë-punësuarit shpenzuan 6.4 orë më shumë në punë me pagesë (4.3 orë më shumë për gratë dhe 6.9 orë më shumë për burrat) sesa punonjësit.
Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës dhe mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Në vitin 2021, 19 % e punëtorëve në BE27 (13 % e femrave dhe 24 % e meshkujve) raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë. Përqindjet mes të vetë-punësuarve ishin më të mëdha: 52 për qind e meshkujve dhe 35 % e femrave.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58 %) e të vetë-punësuarve me të punësuar, 40 % e të vetë-punësuarve të vetëm dhe rreth 14 % e të punësuarve.
Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës.
Përqindja e punëtorëve që raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë ndryshonte shumë sipas vendit: 34 % e punëtorëve në Greqi, 26 % në Rumani, 24 % në Poloni dhe 23 % në Çeki, por vetëm 10 % e punëtorëve në Holandë dhe 9% në Danimarkë.
Në vitin 2021, një javë pune pesë-ditore ishte normë për burrat dhe gratë në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së.
Gratë në Holandë janë një përjashtim, pasi shumica e tyre zakonisht punojnë 4 ditë në javë.
Shumica dërrmuese e punëtorëve (70 %) raportuan se kishin një javë pune 5-ditore, ndërsa pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16 %) dhe punës 6 ose 7 ditë (15 %) në javë, shkruan monitor.al
Një javë pune 4-ditore, e cila është diskutuar kryesisht si një mekanizëm për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe ekuilibrin punë-jetë dhe për të krijuar potencialisht më shumë vende pune dhe për të reduktuar papunësinë, u raportua nga afërsisht 8 % e punëtorëve në BE27 (6 % e burrave dhe 10 % e grave).