Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia globale rrezikon të kthehet në kohën e krizës së madhe të shekullit të kaluar, dhe kjo sipas fondit, po nxitet nga pabarazia dhe mungesa e stabilitetit në sektorin financiar, shkruan InLajmi.
Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka thënë se gjysma e 27 vendeve të BE-së do të jetë në krizë ekonomike në vitin 2023, pasi blloku është godituar rëndë nga konflikti në Ukrainë.
Në mënyrë zingjirore kjo krizë ekonomike pritet ta godasë edhe Kosovën, ku gjendja ekonomike veçse është “e brishtë” dhe kriza është prezente në të gjithë sektorin e ekonomisë, duke filluar nga inflacioni apo ngritja e çmimeve, kriza energjetike, papunësia, evazioni fiskal e të tjera.
Situatën e paralajmëruar e sheh si shumë problematike për Kosovën edhe eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, i cili në një deklaratë për InLajmin thekson se rimëkëmbja ekonomike do të jetë tejet e vështirë nëse mungon stabiliteti politik dhe hartimi i ndonjë strategjie.
Gërxhaliu thotë se deri tani kriza ekonomike është mënjanuar nga ana institucionale dhe nuk është trajtuar me seriozitet, pasi sipas tij, Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka pasur tentativë për të mohuar realitetin e krijuar, duke promovuar kështu veç rezultate pozitive ekonomike dhe jo duke hartuar ndonjë plan strategjik.
“Në rend të parë duhet të kuptohet se shumë vende problematikën e krizës e kanë trajtuar me seriozitet, por e kundërta ka ndodhur në Kosovë, ku shumë më tepër nga ana institucionale është tentuar të mohohet kriza dhe të promovohen rezultate pozitive ekonomike sesa të hartohet një strategji për të dalë nga kriza. Në rend të 2-të paralajmërimi se shumë vende evropiane do të futen në recesion gjatë vitit 2023 është një paralajmërim mjaft shqetësues, kur dihet që partneri kryesor i Kosovës është Evropa dhe shtetet evropiane dhe kjo do të reflektohet në mënyrë zingjirore edhe në Kosovë”, tha Gërxhaliu për InLajmin, duke shtuar se tani është koha që Kosova të arrijë stabilitet politik, në të kundërt do të jetë shumë e vështirë të luftohet inflacioni dhe të kthehet besimi se në Kosovë ka ardhmëri.
I pyetur se çfarë politika duhet të ndjekë Kosova për ta përballuar krizën e paralajmëruar, eksperti i ekonomisë vlerëson se duhet të avancohet dialogu me partneritetin publiko-privat.
Gjithashtu Gërxhaliu thotë se stabiliteti politik është kusht esencial për tërheqjen e investitorëve të huaj, pasi siç thekson ai, kjo do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e vendit.
Sipas Gërxhaliut, Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me krizë ekonomike, e kështu po e fillon edhe vitin e ri, derisa thekson se për të menaxhuar krizën duhet të bëhet analizë e mirëfilltë nga ekspertët e fushës e jo nga politikanët.
“Duhet të pranohet ky realitet që vërtet Kosova ka dalë dhe po hyn në këtë vit me krizë ekonomike, në rend të 2-të duhet të avancohet dialogu me partneritetin publiko-privat që në vitin 2022 ka qenë nën nivelin e dëshiruar. Në rend të 3-të duhet që buxheti i paraparë të jetë në funksion të zhvillimit me partneritet me sektorin privat dhe jo të kemi një ngulfatje siç ka ndodhur në vitin 2022, ku vetëm afër 10% e buxhetit të paraparë për investime kapitale është shfrytëzuar”, deklaroi Gërxhaliu teksa shtoi se Kosova nuk mund të jetojë me vendime ad-hoc të natyrës sociale, por të veprohet me politika drejt një shteti zhvillimor, ku ka punësim, prodhim, rritje të eksporteve dhe partneritet me shtetet e tjera.
Sipas tij, e gjithë kjo mund të arrihet me një bashkrendim të të gjithë palëve.
“Është mjaft sfiduese, prandaj në këtë drejtim duhet të bashkërenditemi sepse në fund të fundit kriza nuk është e qeverisë, por e të gjithëve. Prandaj të gjithë bashkërisht duhet të japim rekomandimet se si të dalim nga një situatë e tillë, e cila është mjaft shqetësuese”.
Tutje, Gërxhaliu thekson se përveç krizës ekonomike, Kosova po kanoset edhe nga “pandemia demografike”, e cila po zbraz Kosovën.
“Kosova sot kanoset jo vetëm nga kriza në aspektin ekonomik edhe social, por edhe nga një pandemi demografike sepse nga humbja e shpresës për ardhmëri shumë persona janë duke e braktisur Kosovën dhe ky duhet të jetë preokupimi kryesor që përmes ekonomisë dhe dialogut të qëndrohet në Kosovë dhe jo gjithmonë të tentohet të iket”.
Njësoj mendon edhe profesori Musa Limani, i cili thotë se kriza ekomonike e prek më së shumti Kosovën për shkak të importit “gjigant” të mallrave.
“Kriza në rajon dhe përmasa botërore shprehet edhe në ecuritë e ekonomisë së Kosovës. Kjo aq më parë kur dihet se Kosova importon mbi 80% të mallrava për nevojat e tregut të brendshëm. Andaj, importimi i mallrave, lëndëve të para dhe shërbimeve reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës e cila edhe ashtu është në fazën më të ulët të zhillimit apo siç quhet në ekonomi faza e recesionit e cila karakterizohet me mungesë të produkteve vendore, normës së lartë të papunësisë, strukturës së pavolitshme ekonomike, evazionit fiskal dhe nepotizmit e të cilat janë prezente në ekonominë e Kosovës”, tha ai për InLajmin.
Si zgjidhje për zbutjen e krizës, Limani e sheh angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të bërë një analizë dhe reformë rrënjësore ekonomike përfshirë këtu edhe tërheqjen e investimeve.
“Qeveria e Kosovës zhvillimin ekonomik duhet ta vëjë në detyrat prioritare të saj, pavarësisht nga sfidat politike që ballafaqohet sot Kosova. Si hap i 2-të, Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë një analizë të mirëfilltë komplekse të rrjedhave ekonomike dhe në bazë të gjendjes faktike të marrë masa adekuate të politikës së zbatuar ekonomike për evitimin e sfidave dhe krizave eventuale që do të paraqiten në vendin tonë.”
Sipas Limanit, reforma ekonomike rrënjësore përfshin politikën fiskale, kreditore dhe atë të tregtisë së jashtme, që qeveria duhet të veprojë për menaxhimin e krizës ekonomike.
Derisa flet për menaxhimin e krizës, ekonomisti i njohur si hap të 4-të për përballimin e kësaj krize e sheh krijimin e kushteve për tërheqjen e investimeve direkte të huaja veçmas të mërgatës shqiptare.
“Këto investime do të paraqesin faktorin determinues material të zhillimit të ardhshëm të ekonomisë së Kosovës. Dhe për fund hapi i 5-të, Qeveria duhet të luftojë mënyrën më serioze të evazionit fiskal, korrupsionin dhe nepotizmin”, tha profesor Limani.
Sipas profesorit Limani, për t’u arritur hapat e lartcekur Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë politikën konsekuente kadrovike që në institucione shtetërore të vendosen kuadro profesionale me përvojë e jo me kriterin e petkut politik. Shqipe Vishaj /InLajmi/