Viti 2023 mund të jetë vit më optimist për ekonominë e Kosovës. Mirëpo sfidë sipas përfaqësuesve të bizneseve, pritet të jetë mungesa e fuqisë punëtore, lënda e parë e energjia elektrike. BQK konsideron se mund të ketë rritje ekonomike 3 deri në 4% .
Në vitin 2023 pritet rritje ekonomike 3 deri në 4%. Kështu tha për RTK-në guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës , Fehmi Mehmeti, i cili shtoi se edhe përkundër sfidave që kanë qenë në Kosovë, ekonomia dhe stabiliteti financiar kanë pasur ritme dhe trende pozitive edhe në vitin 2022.
“Presim që të kemi një rritje e cila konqidon njëjte me parashikimet që i ka Fondi Monetar Ndërkombëtar e që do të lëvizë 3 deri në 4% e ndikuar prej shumë faktorëve”, thotë Mehmeti.
E që viti 2023 mund të jetë vit i kthesës, po konsideron kreu i Aleancës Kosovarë të Biznesit, Agim Shahini, i cili tha se kjo varet edhe nga faktorë të cilët janë të lidhur në formë direkte dhe indirekte me ekonominë e Kosovës. Ai përmendi disa sfida që mund ta presin vendin gjatë vitit që po vjen.
“Rol të veçantë do të luajë edhe se si do të përfundojë lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, si dhe a do të kemi produkte të mjaftueshme dhe a do të ketë rritje të prodhimit të energjisë duke përfshirë këtu energjinë elektrike e po ashtu edhe derivatet e naftës”, thotë Shahini.
“Edhe pse është paralajmëruar se 2023 do të jetë vit i liberalizmit të vizave, kjo mund të jetë sfidë për lëvizjen e punëtorëve”.
Ai deklaron se sfidë tjetër është edhe ajo se sa institucionet e Kosovës do të jenë të kujdesshme me krijimin e një ambienti më të favorshëm për ekonomi dhe biznes.
“Kjo është tepër e rëndësishme, sepse nga kjo do të varet edhe qarkullimi i brendshëm, investimet e brendshme dhe të jashtme”.
Shahini shpjegon se Kosova nuk mund të mburret që ka pasur rritje të madhe ekonomike, por e rëndësishme është që Kosova nuk ishte në recesion. Ai tha se nëse merren këto masa, viti 2023 do të jetë më i mirë.
E kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se në rast se disa shtete të BE-së nuk hyjnë në recesion, viti 2023 mund të jetë më optimist për vendin tonë.
“Në variantin më të mirë, në rast se nuk ndodh kjo, viti 2023 do të jetë më optimist. Por sfidë do të jetë ende mungesa e fuqisë punëtore, gjetja e lëndës së parë etj”, thotë Rafuna për Radio Kosovën.
“Për këtë, institucionet duhet të qëndrojnë të gatshme me një pako kualitative që të ndihmojë biznesin në Kosovë”.
Megjithatë, sipas Rafunës, gjendja më inflacionin mund të lehtësohet në vitin 2023.