Malavi ka vonuar hapjen e shkollave publike në 2 qytetet kryesore të vendit të Afrikës jugore, Blantyre dhe Lilongwe, tha të hënën ministri i shëndetësisë, në përpjekje për të ngadalësuar një rritje të vdekjeve nga kolera.
Numri i përgjithshëm i rasteve dhe vdekjeve është përshpejtuar në 17 mijë e 824 qëkur rastet u raportuan për herë të parë në mars, me shkallën e vdekshmërisë në rritje në 3.34 për qind, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Kolera është një problem vjetor gjatë muajve me shi në Malavi nga nëntori deri në mars, ku numri i vdekjeve është rreth 100 në vit. Por shpërthimi aktual pritet të jetë më i keqi deri më tani.
“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të rasteve të kolerës dhe vdekjeve në qytetet Blantyre dhe Lilongwe, shkollat fillore dhe të mesme në të 2 qytetet nuk do të fillojnë më 3 janar siç u këshillua më parë”, tha në një deklaratë ministrja e Shëndetësisë, Khumbize Chiponda, shkruan Al Jazeera.
Një datë e re e rihapjes do të shpallet më vonë, tha ajo.
Agjencia shëndetësore e OKB-së thotë se normat e vdekshmërisë po rriten në rreth 30 vende të botës që raportuan shpërthime të kolerës në vitin 2022, rreth një e 3-ta më e lartë se në një vit të zakonshëm, transmeton Klan Kosova.
Kolera përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar dhe mund të shkaktojë diarre akute. Shumë njerëz kanë simptoma të lehta, por mund të vdesin brenda disa orësh nëse nuk trajtohen.