Cristiano Ronaldo është gati të nisë një tjetër kapitull në karrierën e tij. Ylli i futbollit është zyrtarisht pjesë e club-it arab, Al Nassr.
Lajmin e konfirmoi vetë skuadra përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Gati për të bërë histori. Kjo është një shenjë që frymëzon jo vetëm skuadrën tonë, por kombin dhe gjeneratat që vijnë pas. Vajzat dhe djemtë që duan të jenë versioni më i mirë i vetes. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde të re Ronaldo.”-thuhet në deklaratë.
Që prej muajit të shkuar, Cristiano ishte i lirë të vendoste për kontratën e radhës duke qenë se u largua nga Manchester United pak kohë më parë.
Sipas mediave në Arabinë Saudite, Ronaldo pritet të fitojë £173 milionë në vit, ku £62m prej tyre do të jenë për stërvitjen dhe futbollin ndërsa pjesa tjetër për të drejtat e imazhit, marrëveshjet e marketingut, reklamat dhe faktin që do të jetë ambasador i vendit për Kupën Botërore, shkruan Insajderi.
Deri më tani, Ronaldo ka nënshkruar një marrëveshje 2 vite e gjysmë që do të thotë, deri në verën e 2025-ës.