Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri, nuk ishin pasqyrë e mirë për vendin.
Rafuna shtoi se bllokimi i rrugëve dhe paraqitja e kësaj situate në mediat më të mëdha botërore, kanë ndikim në ngadalësimin e investimeve.
Sipas tij, edhe bizneset vendëse po vazhdojnë të përballen me kriza të vazhdueshme, duke shtuar se që nga pandemia, lufta në Ukrainë e inflacioni, ato nuk po mund të “shërohen” në tërësi.
Ai shtoi se kriza ekonomike do të duhej të menaxhohej më mirë nga ekzekutivi, duke marrë shembull Shqipërinë për krijimin e një pakete për qytetarë dhe biznese.
“Mirë u bë shumë që u larguan barrikadat, nuk ka qenë një paraqitje e mirë. Ato nuk e stimulojnë investitorin e huaj të vijë, përkundrazi ato e ngadalësojnë procesin e investimeve. Mirëpo nuk është çështje që është e varur nga biznesi, por është vendimmarrje politike. Paraqitja mediale nëpër mediumet më të rëndësishme siç është BBC, CCN, SKY, barrikada, mbyllje e rrugëve nuk është pasqyrën e mirë”, ka thënë ai.
“Edhe të dhënat tregojnë që ka qenë viti më sfidues, bizneset dolën nga pandemia e nuk arritën të ‘shërohen’ plotësisht, pastaj ndodhi lufta në Ukrainë, sfida e 3-të ka qenë mungesa e punëtorëve e sfida e 4 inflacioni. Duke mos harruar edhe mungesën e energjisë, pyetja e parë që ma bëjnë bizneset është a do të kemi energji, a do të shtrenjtohet”, ka vijuar ai, shkruan Dukagjini.
Rafuna ka treguar vështirësitë e bizneseve gjatë vitit 2022, ku tha se mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që shumë biznese të riorganizohen dhe të blejnë pajisje të reja pune që të mos varen nga faktori njeri.