Rritja e vazhdueshme e çmimeve për produktet bazike ka bërë që qytetarët e Kosovës të harxhojnë më pak për festat e fundvitit.
Pavarësisht se 18 % e popullsisë është në varfëri të plotë dhe 5 % e tyre në atë ekstreme, megjithatë kosovarët dalin se janë mjaftë meraklinjtë në festa, sidomos për ato të fundvitit, duke harxhuar rreth 30 milionë euro.
Sipas raportit “Shpenzimet e familjeve kosovare për festat e fundvitit, 2022”, i realizuar nga UBO Consulting, çdo familje në Kosovë shpenzon mesatarisht rreth 150 euro për këto festa.
“Numri i familjeve kosovare që këto festa nuk i shënojnë për shkaqe ekonomike ka shënuar rritje nga 14% në vitin 2021 në 20 % në 2022-në”, thekson raporti.
Aty theksohet se familjet kosovare po shpenzojnë mesatarisht 0.2 milionë euro më pak se në fundvitin e 2021-së dhe rreth 3.1 milionë euro më pak se sa në fundvitin e 2020-së.
“Mesatarisht, familjet kosovare kane deklaruar që po shpenzojnë 146 euro për festat e fundvitit 2022, krahasuar me 156 euro në vitin 2021 dhe 139 euro në vitin 2020”, vijon raporti.
Mbi gjysma e qytetarëve kanë thënë se kanë blerë produkte promocionale (nga zbritjet).
Rreth 80 % e tyre kanë thënë se burimin e informacionit për t’u informuar rreth këtyre produkteve e kanë pasur televizionin, pasuar nga rrjetet sociale me 62 %, 26 për % nga portalet, 36 % nga familjaret dhe miqtë, 32 % nga dyqanet dhe 6% nga radiot, shkruan Telegrafi.
Në fund të raportit theksohet se 86 për qind e blerjeve bëhet nga periudha 25-31 dhjetor, ndërsa pjesa tjetër nga periudha 15-24 dhjetor.