Çfarë është vetëbesimi, si “fitohet” vetëbesimi, sa ndikon humbja e vetëbesimit në shëndetin mendor, për këtë çështje flet për Gazetën InLajmi, psikologu Fitim Uka.
Gjithashtu ai tregon edhe për mënyrat dhe strategjitë e praktikuara për rritjen e vetëbesimit tek të rriturit, por edhe tek fëmijët.
InLajmi: Vetëbesimi a vjen si pasojë e aftësive të lindura apo të fituara?
Fitim Uka: Vetëbesimi është një gjendje psikologjike që lidhet me konceptin që e ndërton njeriu për veten. Është vlerësimi që i bën njeriu vetes për potencialin që e ka dhe më pas kthehet në një forcë shtytëse për veprimin. Ti beson në atë që je, në aftësitë, shkathtësitë, kompetencat dhe potencialet tua dhe kështu e kompleton konceptin për veten. Por, sado që disa shkathtësi dhe aftësi që e influencojnë vetëbesimin mund të jenë të lindura, vetëbesimi është një konstrukt që reflekton më tepër përvojat jetësore, nëse mund të themi “fitohet” rrugës dhe është i ndryshueshëm.
InLajmi: Si duhet të fitojmë vetëbesimin?
Fitim Uka: Nuk ka një formulë specifike që mund të kryejë punë për të gjithë. Teknika dhe startegji të ndryshme mund të përdoren nga njerëzit në përpjekje për të rritur vetëbesimin. Por, zgjidhja më e mirë është njohja e vetes dhe mbështetja e vetëbesimit në atë që në të vërtetë jemi, në potencialin tonë real. As vetëbesimi i lartë që nuk ka mbështetje, por as vetëbesimi i ultë nuk janë të mira për shëndetin mendor.
InLajmi:Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në mungesën e vetëbesimit të njerëzit?
Fitim Uka: Zakonisht, një vetëbesim të ultë e sjellin sfida në të cilat njerëzit dështojnë, plane të cilat nuk na realizohen, situata në të cilat nuk ia dalim të tregojmë veten të suksesshëm apo edhe vlerësime që marrim nga njerëzit përreth, e që nuk janë pozitive apo në përputhje me pritjet tona.
InLajmi: A mendoni se ndikon shumë pamja estetike në rritjen e vetëbesimit të femrat, ashtu edhe te meshkujt?
Fitim Uka: Unë jam fuqimisht kundër që njerëzit ta reduktojnë vlerën e tyre në pamjen fizike. Njeriu është qenie shumë më e pasur se sa atributet fizike që ka. Rrjedhimisht, edhe mund të ketë një ndërlidhje të tillë, por në perceptimin tim, këtu kemi të bëjmë më tepër më keqkonceptualizim të qenies, se sa me mungesë vetëbesimi.
InLajmi: A ndikojnë shumë kritikat dhe komentet nga rrethi, familja dhe përgjithësisht shoqëria në vetëbesimin e një personi?
Fitim Uka: Patjetër që po. Mënyra se si flasin dhe komunikojnë me ne njerëzit përreth e ndikon vetëbesimin tonë. Në veçanti, potencialin për të rrënuar vetëbesimin tonë e kanë figurat e çmuara e të vlerësuara nga ne. Megjithatë, atë që duhet të bëjmë është, që sa herë marrim kritika, të kuptojmë nëse po kritikon “emocioni” i personit përballë apo “racio” e tij/saj. Jo rrallë ndodh, që njerëzit na japin komente të cilat nuk i mendojnë për ne, teksa përplasemi dhe argumentojmë. Një filtër i tillë, ndihmon që të mos afektohemi nga secili vlerësim, edhe i vrullshëm e i paarsyeshëm nëse është nga ata që i kemi afër nesh.
InLajmi: Çfarë duhet të bëjnë prindërit që të rrisin vetëbesimin te fëmijët e tyre?
Fitim Uka: Duhet të flasin me fëmijët e tyre dhe të vënë në pah potencialet, shkathtësitë, aftësitë dhe kompetencat e tyre. Por, duhet të disktuojnë me ta, që nuk ka qenie ideale dhe rrjedhimisht ajo që mungon apo nuk është në nivelet që kërkohet, nuk duhet të ndilkojë vetëbesimin edhe në të tjera nivele. Nëpërmjet komunikimit, fëmijët mësojnë që vetëbesimi është edhe specifik dhe varet nga konteksti. Është në rregull që të ketë vetëbesim më të ulët në një fushë, por në tjetrën të jetë me vetëbesim më të lartë.Shqipe Vishaj /InLajmi/