Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu mbetet njëra nga personazhet publike më të komentuara për ngritjen e zërit në legjislativ për shumë probleme që rëndojnë jetën e qytetarëve e ndonjëherë edhe për reagimet e saj paska më të ashpra.
Si arriti të jetë në legjislativ për disa mandate, sfidat, paragjykimet, bullizimi, puna, sukseset e saj si zëri i qytetarëve e shumë çka tjetër i tha në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmin, deputetja Ganimete Musliu.
InLajmi: Sa është e vështir me qenë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës?
Ganimete Musliu: Pyetje interesante. Deri më tani kam punuar me përgjegjësinë më të madhe për të adresuar çështjet të cilat i preokupojnë qytetarët e këtij vendi. Në qeveritë e kaluara ia kemi dalë të kalojmë shumë çështje të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetesës. Sot puna jonë është vështirësuar skajshmërishtë sepse gjendemi përballë një shumice parlamentare e cila në asnjë moment nuk mendon se përse gjendet në atë institucion. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe partnerët e tyre të koalicionit janë tërësisht në shërbim të Albin Kurtit në ndërkohë që do të duhej të ushtronin funksionin që e kanë atë të mbikëqyrjes së qeverisë. Ne sot nuk kemi parlament sepse ky institucion është përkulur para një kryeministri dhe kjo ndërhyrje, ky diktat po e shkatërron çdo ditë sistemin aktual parlamentar të Republikës së Kosovës. Ne si opozitë, brenda kornizave të lejuara kemi adresuar çdo shkelje, çdo gabim, çdo nismë të dëmshme të kësaj garniture të shëmtuar legjislative, mirëpo për të qenë të suksesshëm ne kemi nevojë për përkrahje qytetare. Përderisa VV-ja këtë shkatërrim po ua atribuon qytetarëve që e sollën në pushtet atëherë mendoj se po qytetarët duhet të ngrihen në këmbë dhe bashkë me opozitën të parandalojnë shkatërrimin e tërësishëm të institucioneve dhe të rendit tonë kushtetues.
InLajmi: Jeni një femër e suksesshme në politikë, sa jeni paragjykuar gjatë këtij rrugëtimi, a vazhdon ende ky paragjykim apo këta zëra i keni shuar?
Ganimete Musliu: Suksesi im më i madh është guximi im për t´iu qëndruar besnike parimeve dhe idealeve të mija dhe më besoni që në kohën që po jetojmë kjo nuk është edhe aq e lehtë. Nuk është e lehtë dhe nuk është motivuese kur shtyllë të punës tënde e bënë punën e ndershme dhe në shërbim të së mirës së përgjithshme dhe në fund të ditës, në emër të militantizmit politik, ti futësh në një thes me ata të cilët prioritet e kanë pasurimin e vetës së tyre. Nuk është motivim kur sulmohesh për gjërat që ose nuk ndodhin fare ose i bëjnë të tjerët. Megjithatë, unë besoj në Zot dhe besoj në popullin tim. Besoj që në këtë vend ka mjaftë njerëz të cilët shohin dhe gjykojnë drejtë dhe në fund të ditës e vlerësojnë shërbyesin e ndërgjegjshëm dhe të angazhuar. Për sa i përket paragjykimeve dhe bullizimit në baza personale, nuk e di një rast të 2-të që është sulmuar siç jam sulmuar unë, por meqenëse kjo bëhet nga personat që nuk më njohin personalisht dhe nuk kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën time, jam përpjekur që mos ti marrë shumë afër vetës. Më shumë më ka habitur qasja publike kundër këtyre fenomeneve, një qasje selektive, një qasje për PR, një qasje e dëmshme. Zërat paragjykues mund të shuhen vetëm atëherë kur unë të prezantohemi si viktimë, por asnjëherë nuk do të viktimizohem sepse, këtë fenomen degjenerues unë asnjëherë nuk e marr personalisht prandaj jam e vendosur që të jem e zëshme dhe të jem luftarake në vend që të viktimizohem dhe të ushqejë preferencat e kësaj shoqërie për të pasur gra viktima.
InLajmi: Cili është suksesi juaj gjatë vitit 2022, sukses me të cilin mburreni?
Ganimete Musliu: Demaskimi i gënjeshtrave të Ministrit të Bujqësisë dhe ngritja e zërit për bujqit e Kosovës. I falënderoj këta njerëz të mirë dhe punëtorë të cilët më kanë pritur dhe më kanë informuar për vështirësitë që ata hasin nga Ministria që është përgjegjëse për të ua lehtësuar jetën dhe punën e tyre e që në realitet po e bën të kundërtën. Demaskimi i fondit të Albin Kurtit të maskuar si fond për sigurinë e vendit, për çka unë kam marrë mbështetje nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të kësaj fushe. Guximi im për t´iu kundërvënë feminizmit selektiv si qasje denigruese ndaj kauzave gjinore. Fal presionit tim publik e politik ndaj Ministrit të Infrastrukturës sot i kemi rrugët e asfaltuar ne fshatrat e Shalës së Bajgorës. Dhe së fundmi inicimi i ligjit për pensionimin e policisë dhe zyrtarëve të Inspektoriatit Policor me autorizime policore.
InLajmi: Sikur të ishit kryeministre cilat do të ishin 3 prioritetet e para të juaja?
Ganimete Musliu: Çdo kryeministër i një vendi të vogël dhe të shkatërruar nga lufta dhe nga një tranzicion i pafund duhet të fokusohet në zhvillimin e vendit si rruga e vetme për ta ndalur eksodin e përditshëm të të rinjve dhe të profesionistëve të të gjitha fushave. Në situatën e krijuar nga një Kryeministër i papërgjegjshëm në të cilën po na gjen ky fundvit, rëndësi primare ka siguria e vendit, integriteti territorial dhe shtetësia e Republikës së Kosovës. Një fushë tjetër e rëndësishme është respektimi i ligjit pa dallim. Jetësimi i parimit se para ligjit janë të gjithë të barabartë. Pastaj është shëndetësia e cila në këtë vend që nga paslufta është trajtuar gabimisht dhe sot është tërësisht përtokë. Dhe meqenëse, shkaktuar nga rrethanat e lartcekura, qeveritë e kaluara kanë qenë të obliguara të angazhohen në përmirësimin e kushteve bazike dhe infrastrukturore, sot imediate është reforma në arsim, si fushë nga ku burojnë profesionistë të përgatitur, të aftë dhe të përgjegjshëm. Nga shkollat burojnë të gjithë ata që do të menaxhojnë dhe do të angazhohen në fushat e tjera në të ardhmen.Ka edhe shumë fusha të tjera të brendshme që kanë nevojë për një qasje politike të guximshme dhe largpamëse.
InLajmi: Mesazhi juaj për këtë fundvit?
Ganimete Musliu: Përveç që është njerëzore që të gjithë shqiptarëve kudo që janë t´iu uroj shëndet, harmoni dhe dashuri, mesazhi im për qytetarët e këtij vendi është që të jenë më aktiv, më kërkues dhe më të zëshëm kundrejt klasës politike sot dhe nesër dhe kurdoherë.
Qeveria dhe përfaqësuesit e tyre e kanë obligim që punën e tyre ta organizojnë në atë mënyrë që të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Për një kohë të gjatë ky popull ka heshtur dhe ka duruar.
Sot ka ardhur koha që populli të organizohet dhe të detyrojë këtë qeveri dhe çdo qeveri që do të vijë pas kësaj ta kenë të qartë që do të përgjigjen para popullit.
Mesazhi im është, që qytetarët e këtij vendi mos të harxhojnë kohën duke lavdëruar apo duke sharë nëpër rrjete sociale, por të kërkojnë paga të dinjitetshme, cilësi në arsim, arsyeshmëri dhe efektivitet në drejtësi dhe mbi të gjitha sigurime shëndetësore dhe mjekësore. Libona Gegaj /InLajmi/