Gjatë periudhës së festave, numri i udhëtarëve dhe automjeteve që shfrytëzojnë tragetet për të udhëtuar 2-fishohet. Gjatë 10 ditëve të fundit të këtij viti, siç është bërë traditë tashmë, mijëra persona kanë zgjedhur të hyjnë në Shqipëri nëpërmjet portit më të madh në vend për të kaluar festat e fundvitit.
Fundjavat kanë regjistruar dhe fluksin më të madh të mbërritjeve në vend nga ky vendkalim kufitar ku paraditen e sotme, e fundit për vitin 2022, kanë mbërritur 3 tragete, 2 nga Bari dhe një nga Ankona.
Nga të dhënat e pikës së kalimit kufitar në port mësohet se në 10 ditët e fundit të këtij viti kanë udhëtuar drejt Shqipërisë me tragete përmes portit të Durrësit 29. 176 persona, shkruan Top Channel.
Që nga data 22 dhjetor në fuqi kanë hyrë dhe masat për përballimin e fluksit në lundrim dhe në port për të shmangur vonesat në përpunim. Sipas autoriteteve policore, gjatë këtyre ditëve është punuar me 20-22 sportele, shumica e të cilave të dedikuara për udhëtarët me automjete dhe këmbësorët dhe më pak për kamionat.