Minisri i Mbrojtjës, Armend Mehaj bëri të ditur se vitin 2022 Forca e Sigurisë së Kosovës po përmbyll vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, përcjell InLajmi.
Mehaj shtoi se Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.
Më tej ai tha se e ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
Njoftimi i plotë i tij:
Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!
Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.
E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.
Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.
Ju jeni krenaria jonë më e madhe! /InLajmi/