Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave, përderisa nuk dihet ende vlera e koeficientit dhe nuk kuptohet se sa është rroga e një zyrtari publik, përcjell InLajmi.
Ai thekson se ky ligj nuk duhet të kthehet edhe një herë në pikën zero, pasi sipas tij, ky ligj rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme.
Në fund, Tahiri thotë se AAK është në koordinim dhe i bashkohet bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces.
Postimi i plotë i tij:
Ligjit për Zyrtarët Publik dhe Ligjit të Pagave i kanë mbetur edhe 2 ditë për adresim në Gjykatën Kushtetuese.
Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, pra deri sa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik. Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithësesi të kontestohen në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të 2 pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese.
Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi që i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së. Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces. /InLajmi/