Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se eksponentë të VV-së janë rrokur pas valles që po i prinë kryeministri Kurti, përcjell InLajmi.
Tahiri tha se kjo valle e prirë sipas tij nga kryeministri i Kosovës po bëhet me shkas të shpalosjes së ‘’suksesit’’ të heqjes së barrikadave para qytetarëve.
Ai tha se e vërteta e këtij zhvillimi është se Aleksandër Vuçiq siç i ka vendosur barrikadat brenda Kosovës i ka larguar sipas dëshirës, sipas tij Kurti gjatë gjithë kësaj kohe ishte vetëm spektator i devotshëm dhe komentator rrethanor.
Një Vuçiq që vendos barrikada brenda Kosovës, e një kryeministër i Kosovës që rri si spektator përballë tyre, është fotografia që përmbledh mjerimin shtetëror nën qeverisjen e VV-së, shtoi Tahiri.
Postimi i plotë i tij:
Eksponentë të VV-së janë rrokur pas valles që po i prinë Kryeministri Kurti, për t’ua shpalosur qytetarëve “suksesin” e heqjes së barrikadave, thuajse ato ishin vendosur në Rashkë apo Nish, e jo në Mitrovicë, Zubin Potok e Leposaviq. E vërteta që u pa krejt hapur nga ky zhvillim, është se në fakt, Aleksandër Vuçiqi ishte ai që vendosi e i hoqi barrikadat brenda Kosovës sipas dëshirës, ndërsa kryeministri Kurti ishte gjatë tërë kohës, një spektator i devotshëm dhe komentator rrethanor. Një Vuçiq që vendos barrikada brenda Kosovës, e një kryeministër i Kosovës që rri si spektator përballë tyre, është fotografia që përmbledh mjerimin shtetëror nën qeverisjen e VV-së./InLajmi/