Disa dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut protestuan të enjten para ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.
Protesta në Shkup u mbajt, teksa për të 20-tën ditë me radhë, disa nga rrugët e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.
Largimi i tyre u paralajmërua më 28 dhjetor.
Pasditen e së enjtes nisi largimi i barrikadës në fshatin Rudarë, i cili gjendët në komunën e Zveçanit, shkruan REL.
Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.