Ish-policit, Dejan Pantiq, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, kjo është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut, përcjell InLajmi.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i cili i mllefosur shprehet se udhëheqësit e shtetit dështuan të mbajnë zgjedhjet në veri, kurse tash paskan dështuar edhe në drejtësi, duke liruar nga paraburgimi të arrestuarin e dyshuar për terrorizëm.
Gjoshi fajin kryesor e ka hedhur tek udhëheqësi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku tha së këta të 3 janë fajtor për mungesën e sovranitetit në 4 komunat veriore.
Postimi i plotë i tij:
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Xhelal Sveçla janë 3 personat fajtorë për mungesën e sovranitetit në 4 komunat e veriut të Kosovës.
Një herë dështuan t’i mbajnë zgjedhjet, e sot paskan dështuar zyrtarisht segmentin tjetër të shtetit, duke e liruar një të dyshuar për terrorizëm.
Po-po, lirim është! Mos u fshehni pas termave dhe procedurave ligjore.
Nuk është arrest shtëpiak sepse Xhelal Sveçla nuk do të jetë në gjendje ta verifikojë se i dërguari në arrest shtëpiak do t’i përmbahet masës së dhënë./InLajmi/