Është dita e 18-të e vendosjes së barrikadave në veri, ato jo vetëm që nuk janë hequr nga serbët, por gjatë ditës së martë janë vendosur edhe 2 të tjera në lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Veriut, derisa sulmet në atë pjesë nuk janë ndalur ndaj qytetarëve, gazetarëve, si dhe vetë organeve të sigurisë, shkruan InLajmi.
Për heqjen e barrikadave, është kërkuar që KFOR-i të marrë përsipër situatën në veri, në mënyrë që mos përshkallëzohet edhe më shumë situata atje.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka paralajmëruar se nëse KFOR-i nuk është në gjendje, apo nuk do t’i largojë ato, atëherë institucionet e Kosovës mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Me një deklaratë të tillë nuk pajtohen njohësit e çështjeve të sigurisë, pasi sipas tyre, ky moskoordinim me KFOR-in paraqet “rrezik” dhe mund të shkaktojë edhe viktima.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, në një deklaratë për InLajmin, vlerëson se situata në veriun e Mitrovicës është rënduar shumë dhe çdo moskoordinim me KFOR-in mund të çojë në eskalimin e situatës, ku mund të ketë edhe viktima.
“Situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës është rënduar shumë sidomos pas aktiviteve të fundit të grupeve kriminale, të cilat veprojnë në veriun e Mitrovicës, ku edhe kanë vendosur edhe 2 barrikada të reja në 2 lokacione të ndryshme, kështu duke vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për hapjen e rrugës, largimin e barrikadave dhe krijimin e lirisë së lëvizjes në atë zonë, e cila është e bllokuar”.
Sipas Elezit, institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të kenë vigjilencë të theksuar sa i përket veprimeve të njëanshme.
“Kemi parë disa përpjekje të institucioneve të sigurisë për lirimin e këtyre barrikadave, kemi parë deklarata të ndryshme të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, por deri tani nuk ka pasur rezultate. Institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të kenë vigjilencë të theksuar sa i përket veprimeve të njëanshme, sepse çdo veprim i njëanshëm mund të shkaktojë edhe një situatë, ku mund të kemi viktima, prandaj kjo do t’i faturohet institucionit, i cili ka marrë veprimet për të përshkallëzuar situatën apo për të siguruar një parakusht nga përplasjet që mund të institucionet e Kosovës dhe grupet kriminale serbe”, tha ai për InLajmin.
Elezi thekson se 2 palët duhet të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje afatgjate, jo vetëm në rajonin e Mitrovicës, por edhe në territorin e të gjithë Kosovës.
“Institucionet e Kosovës nuk duhet të ndërmarrin veprime pa u koordinuar me KFOR-in. Çështja e koordinimit të aktiviteve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it duhet të jetë e detyrueshme për largimin e barrikadave. Duhet t’i jepet hapësirë palëve për të ardhur deri të një marrëveshje që mund të garantojë një siguri afatgjate jo vetëm në rajonin e Mitrovicës, por edhe në territorin e krejt Kosovës”, tha ai.
Nga ana tjetër, profesori Muhamet Kelmendi thotë se shteti është vënë në pozitë indiferente nga “mosdija” për të dialoguar me Serbinë.
“Me Serbinë nuk po dijnë të dialogojnë dhe të veprojnë në veri. Po behet 18 dite të bllokimit të veriut të Kosovës nga bandat kriminale serbe dhe shteti është vënë në pozitë indiferente”, tha ai për InLajmin.
Kelemendi thekson se ndërkombëtarët po i tolerojnë bllokimet dhe sulmet në veri, e me këtë sipas tij, po bëhet barazimi mes shtetit të ndërtuar me baza kushtetuese dhe kriminelëve në veri.
“Po bëhet barazimi midis shtetit te ndërtuar mbi baza kushtetuese dhe krimineleve banditesk të Vuçiqit. Po tolerohen bllokimet, po sulmohen me armë organet e rendit, si dhe janë krijuar njësi kriminale të armatosura. Veriu është ndarë. Edhe ne raportet me shtetet, sidomos me SHBA-te, jane shkatërruar dukshëm”, tha ai.
Ndryshe, edhe aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare ka thënë se KFOR-i duhet në mënyrë urgjente t’i largojë barrikadat në veri të Republikës së Kosovës. Shqipe Vishaj/InLajmi/