Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Betim Gjoshi, ka kritikuar kryeministrin Kurti për diskursin e tij kundër aleatëve ndërkombëtarë, përcjell InLajmi.
Gjoshi ka komentuar deklaratën e Kurtit se Escobar është më bujari me Serbinë.
Ai thotë se mënyra se si Kurti po i trajton zyrtarët e SHBA-së është shërbim ndaj Serbisë.
Sipas tij, acarimi i raporteve Kosovë – SHBA nuk i duhet askujt tjetër më shumë se Serbisë..
Postimi i plotë i tij:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me diskursin e tij kundër aleatëve dhe miqve të pazëvendësueshëm të shqiptarëve, po i shërben Serbisë!
Po-po, po i shërben Serbisë!
Ne duhet ta themi pa asnjë ngurrim dhe ta përsërisim çdo ditë se mënyra se si po i trajton zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shërbimi ndaj Serbisë që as Aleksandër Vuçiqi nuk mund t’ia japë vendit të tij.
Acarimi i raporteve Kosovë – SHBA nuk i duhet askujt tjetër më shumë se Serbisë.
Për Albin Kurtin një herë ishte i keq dikush tjetër, e tash po del se fajet janë edhe te Gabriel Escobar. /InLajmi/