Në Kosovë pritet mot i ndryshueshëm. Mëngjesi pritet të jetë i ftohtë dhe mjegull, ndërsa gjatë ditës lokalisht priten intervale kohore me diell. Pasdite parashihet të ketë shtim të vranësirave dhe në disa vise mund të ketë edhe riga lokale shiu sidomos në mbrëmje. Erërat verilindore do të fuqizohen në mbrëmje si pasojë e ardhjes së një fronti të dobët, të ftohtë ajror.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Më shumë vranësira priten në veri të vendit ku ka gjasa për riga lokale shiu.
Në Maqedoninë Veriore dhe Kosovën lindore nesër pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Temperatura maksimale rreth 14 gradë Celsius. Riga lokale nesër pasdite priten edhe në disa vise të Malit të Zi, shkruan Meteo Ballkan.
Të mërkurën priten intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat ende në disa vise mund të kushtëzojnë ndonjë rigë shiu, ndëra e enjta rikthehet dominimi i plotë anticiklonik, me mëngjese me mjegull nëpër lugina e ditë stabile dhe me intervale kohore me diell.