Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së ka cilësuar vitin 2022 si vit të thyer dhe me ngritje të pashmangshme, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se në këtë mbledhje u fol sa i përket reformave brenda partisë dhe vendimet në raport me aktualitetin dhe sfidat që ka Kosova në pjesën veriore dhe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Ai tha se qeveria e Kosovës ka mbështetjen e kësaj partie, duke shtuar se Kosova duhet të vendoset gjithmonë e para.
Krasniqi ka cekur edhe vendimet e marrura në këtë mbledhje ku disa nga to janë, barazia gjinore në struktura të vendimarrjes 50/50, rinia të ketë rolin e saj vendimar etj.
PDK do të intestifikoj angazhimin e kërkesave dhe nevojave parësore të shtetit dhe qytetarëve, shtoi ai.
Postimi i plotë i tij:
Viti i thyer dhe ngritja e pashmangshme!
Në përmbyllje të këtij viti, sonte kemi mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së.
Reformat brenda partisë, vendimet dhe qëndrimet në raport me aktualitetin, sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe, posaçërisht, situata e krijuar në pjesën veriore të vendit dhe dialogu Kosovë – Serbi, ishin temat për të cilat diskutuam në Këshillin Drejtues.
Në përgjithësi, në kontekstin e qeverisjes, viti 2022 ka qenë një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur. Rrjedhimisht, kemi pasur gjendjen më të rëndë ndonjëherë në shumë sektorë, e specifikisht në shëndetësi, ekonomi, energji, siguri e diplomaci.
Një vit i thyer, i humbur, i dështuar, e që, fatkeqësisht, nuk po shihet akoma nga Pallati i Ëndrrave ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet.
Megjithatë, kjo tashmë nuk është asgjë e re nga fronti i fjalamanëve.
Gjithsesi, dy janë prioritetet shtetërore, të cilat kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership. Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë.
Për të 2-jat, si çdo herë, unë dhe PDK e vendosim Kosovën të parën, duke i mbështetur proceset dhe veprimet e duhura.
Për të parën kërkojmë reagim dhe veprim institucional për t’i hequr menjëherë barrikadat e grupeve kriminale, të instrumentalizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si tentim i tij për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë, i ofrojmë mbështetjen e plotë Qeverisë.
Për të dytën, marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, kërkojmë maturi e lidership, për çka edhe kemi ofruar propozimin tonë për pesë rezultatet që duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të reformave të brendshme, si PDK kemi ndërmarr një numër të vendimeve të cilat kanë fuqizuar dhe rritur partinë brenda dhe jashtë Kosovës.
Kemi marrë vendimin për barazi të plotë gjinore në struktura dhe vendimmarrje – 50/50, rinisë i kemi dhënë zë, përmes një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe demokratik, kemi gati për të përmbyllur Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ndërsa Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë ka bërë një punë të shkëlqyeshme në rritjen dhe shtrirjen e PDK-së në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
Në kontekstin e jashtëm, PDK është pranuar me të drejta të plota në Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës (ALDE). Ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.
Edhe në vitin 2023, PDK, duke pasur interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës, do të vazhdojë të jap kontributin e saj në të gjitha proceset me rëndësi kombëtare e shtetërore.
Krahas kësaj, PDK do intesifikoj angazhimin dhe të shtyjë përpara reformat në shërbim të ngritjes së pashmangshme, si kërkesë dhe nevojë parësore e qytetarëve dhe shtetit./InLajmi/