Kosova nuk ka nevojë ta luaj lojën e Serbisë, pasi në këtë mënyrë do shtyhet edhe procesi i dialogut. Tha kështu anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri.
Madje, Gaxherri vlerësoi se situata aktuale në veri, nuk është aspak në favor të Kosovës.
“Po në qoftë se KFOR-i do ishte tërhequr dhe t’i thoshte kryeministri Kurti, ja urdhëro. Por, ne nëse pretendojmë me e qit gjoksin, është shumë gabim. Tani situata në veri nuk është në favorin e Kosovës. Veç kësaj, ne nuk kemi nevojë ta luajmë lojën e Serbisë për ta zvarritur këtë proces, për të krijuar momentum të pasigurisë në atë pjesë, e që të shtyhet procesi i dialogut dhe të mos përfundojë, së tanimë mjaft ka zgjatur. Këto lëvizje që i bën Serbia, ne nuk duhet të biem asnjëherë në lojën e tyre”, deklaroi Gaxherri
Njëherit, Gaxherri theksoi se me Qeverinë paraprake, kishin rënë dakord të mos pajtohen për asnjë marrëveshje, deri në marrëveshjen finale.
“Ne kemi pas me përfundua çështjen e dialogut me Serbinë, e pas kësaj të bisedonim për marrëveshjet tjera”, tha tutje Gaxherri, në emisionin “Respublika” në Tëvë1.
Mirëpo, ajo tha se tanimë situata ka ndryshuar e tëra.