Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takoi në Bruksel Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, përcjell InLajmi.
Në këtë takim Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi Komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës.
Ai tha se Kosova ka angazhimin dhe përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim, Kosova gjendet tashmë në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu shtoi se përkushtimi i Kosovës të tregojë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik.
Zëvendëskryeministri Bislimi gjithashtu e falënderoi Komisionerin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës./InLajmi/