Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse tha se një mbledhje e tillë e 2 kuvendeve në prag të festës së pavarësisë së Shqipërisë as nuk mund të ëndërrohej vite më parë.
“Dikur edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment nga pengesat e panumërta të historisë që ekzistencën, territorin, gjuhën e identitetin na vinin në diskutim. Teksa ecim nëpër stinë e mote shqiptarët gjetën shekullin e tyre ngado që ata u nisën – nga Prizreni e Vlora, nga Tirana e Prishtina, nga Shkodra e Tetova, nga Tuzi e Gostivari, nga Korça e Presheva”.
“U bë Shqipëria dhe Kosova, u bënë shqiptarët këndej e andej kufirit, qytetarë të denjë të civilizimit që i përkasin”.
Nikolla tha se ajo çka ndodhi më 1912 nuk ishte e tëra që donin shqiptarët
“Ajo çka ndodhi më 28 nëntor 1912 nuk ishte gjithçka që shqiptarët dëshironin, por ishte guri i themelit mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja”.
Nikolla ka kujtuar shumë nga figurat e mëdha të kombit të të gjitha trojeve shqiptare, raporton Gazeta Express.
“Sot është dita dhe vendi për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndresëtarët, disidentët, klerët, shkrimtarët, të gjithë ata që s’e humbën kurrë besimin te liria