Në kuadër të aktiviteteve kulturoro-shkencore “Ditët e Alfabetit” Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup zhvilloi një konferencë shkencore kushtuar kontributit të studiuesve gjermanë për shkencën dhe gjuhësisë shqiptare.
Albanologë si Gustav Mayer, Nobert Jokli, Maksimilian Lambreci, Johan G. fon Han, kanë dhënë një kontribut kolosal dhe me vlerë të qenësishme si për historinë e gjuhës ashtu edhe për vetë historinë e popullit shqiptar. Në sesionin shkencor “Studime albanologjike në gjuhën gjermane” u sollën trajtesa interesante dhe me shumë prurje të reja shkencore rreth studimeve të këtyre albanologëve në zë të shkollës gjermane dhe asaj austriake.
Vend i veçantë dhe shumë meritor
“Dija albanologjike nuk do të ishte kjo që është sot, po qe se pjesë e kronologjisë së studimeve albanologjike nuk do të ishte edhe shkolla gjermane, e cila në këtë dije zë një vend të veçantë e shumë meritor dhe që u prin prurjeve të studimeve që vijnë nga të huajt. Kjo shkollë, në shumë drejtime të studimeve albanologjike ka vënë themele fillestare, ndërsa ka spikatur në krahasim me shkollat e tjera edhe në kërkimet shkencore e zgjidhjen e shumë çështjeve jo vetëm gjuhësore, por edhe historike e etno-kulturore të etnisë shqiptare”, tha prof.dr. Hidajete Azizi, udhëheqëse e Departamentit të studimeve të gjuhës në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ITSHKSH.
Me gjenezën gjermane të studimeve albanologjike, lidhet edhe njëri ndër dokumentet e para të shkruara të gjuhës shqipe, “Fjalorthi” i udhëtarit gjerman Arnold von Harff-it akoma pa u botuar vepra e parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut.
“Ky fjalorth zë vendin e shkrimit të parë për gjuhën shqipe ndër të huajt. Në çdo shekull vijues e deri më sot, interesi për gjuhën e kulturën shqipe nga ana e studiuesve gjermanë jo vetëm që do të jetë i pranishëm, por do të avancojë bindshëm e do të zërë një vend të paluhatshëm në dijen albanologjike”, tha prof.dr. Hidajete Azizi.
Interesimi i shkencëtarëve gjermanë ka rëndësi dhe në aspektin gjeopolitik
Sekretari shkencor i ITSHKSH-së, Sefer Tahiri, tha se gjuha shqipe, me dialektet dhe të folmet e shumta të saj, së bashku me interferencat me gjuhë tjera ballkanike por jo vetëm, është studiuar në vazhdimësi nga studiues të ndryshëm të hapësirës akademike, ndërsa në këtë drejtim veçohen studimet gjermane.
“Interesimi i shkencëtarëve gjermanë ka rëndësi për shqiptarët edhe në aspektin gjeopolitik dhe përdëftimin se shqiptarët i takojnë edhe identitetit evropian. Meqë në fushën gjeopolitike rastësia nuk ekziston, ky interesim shkencor, është pasuar me angazhimin e kombeve mike të shqiptarëve, jo vetëm në shtet-ndërtimin e Shqipërisë në vitin 1912, por edhe në arritjen e pavarësisë së Kosovës si shtet dhe në avancimin e statusit të shqiptarëve e në veçanti të shqipes në Maqedoninë e Veriut”, tha Tahiri, shkruan Deutsche Welle.
Në sesionin shkencor janë prezentuar me kumtesa edhe studiuesja nga Shqipëria Elda Gjana me kumtesën “Dialektet e shqipes në studimet e albanologëve gjermanë Gustav Majer dhe Nobert Jokli”, Anton Nikë Berisha me kumtesën “Ç’shkruante Gustav Majer për letërsinë shqipe në vitin 1883”, “Albanesissche Gramatik e vitit 1886” e studiuesve Xhafer Beqiraj dhe Vilson Markut, si dhe kumtesat e Ylber Sela me temën “Hani dhe udhëtimi i tij nëpër viset e Drinit dhe Vardarit”, Mimoza Kore me “Fjalorthi Von Hahn-it dhe mbështetja e albanologëve të tjerë në të” dhe Emin Azemi me temën “Maximilan Lambertzi në studimet e disa autorëve shqiptarë”.