Për sigurinë e tifozëve dhe të vizitorëve të Kampionatit Botëror të Futbollit Katari ka rekrutuar roje nga forca të armatosura të vendeve të tjera.
Për të garantuar sigurinë e vizitorëve dhe të rreth 1.2 milionë tifozëve që pritet të ndjekin Kampionatin Botëror të Futbollit 2022 Katari ka angazhuar forca ushtarake, policore si dhe kompani civile sigurie nga 13 vende të botës.
Pakistani dërgoi në tetor më shumë se 4.500 trupa këmbësorie në Doha. Kurse Franca, Jordania, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë dërguar trupa policore. Pakistani është i vetmi vend që ka dërguar trupa ushtarake.
“Dislokimi i trupave të këmbësorisë u bë me kërkesë të veçantë të qeverisë së Katarit dhe numri i trupave u kërkua nga autoritetet e Katarit duke mbajtur parasysh marrëdhëniet e ushtrisë pakistaneze me Katarin”, tha për një zyrtar i lartë pakistanez.
Pas Pakistanit Turqia ka dërguar numrin më të madh të stafit të huaj të sigurisë për Kupën e Botës. 3.000 policë turq do të jenë të pranishëm në Katar, tha ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu për gazetën Daily Sabah në shtator, duke shtuar se Ankaraja ka trajnuar gjithashtu personelin e sigurisë të Katarit.
Personeli i huaj domosdoshmëri
“Vendet zakonisht rekrutojnë personel të huaj sigurie për t’i ndihmuar ata në kryerjen e misioneve specifike,”tha për DW Ali Bakir, asistent profesor në Universitetin e Katarit dhe studiues i sigurisë në Lindjen e Mesme në Këshillin Atlantik. “Fakti që Katari ka një popullsi të vogël e bën këtë proces më jetik dhe të domosdoshëm.
“Ruajtja e sigurisë gjatë dy javëve të Kampionatit Botëror do t’i tejkalonte së tepërmi kapacitetet lokale”, tha Bakir.
“Do të ishte sikur Gjermania të organizonte një ngjarje me 220 milionë vizitorë”.
Katari ka mjaft nevojë për fuqi punëtore dhe në vend jetojnë 2 milionë punëtorë emigrantë, ndërkohë që popullsia vendase është 400.000 vetë.