Sekretarja e përgjithshme e PSD-së, Teutë Rrusta, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për siç tha ajo, mosmbajtje të premtimit elektoral sa i përket dialogut me serbët në Kosovë.
Ajo theksoi se Qeveria Kurti nuk po komunikon me qytetarët dhe sipas saj, ata po informohen vetëm përmes mediave sa i përket marrëveshjeve dhe së fundmi planit franko-gjerman.
“Tash ne nuk e kemi asnjë përpjekje të vetme të kësaj Qeverie që sadopak qytetari i Kosovës ta ulë pasigurinë përfshirë serbët dhe shqiptarët që ndjejnë në raport me këtë. Kur flasim ne për veriun njerëzit e parë të cilët frikësohen me të drejtë janë serbët e veriut, është e padrejtë mënyra sesi kryeministri Kurti iu drejtohet atyre, sesi flet për ta dhe sesi flet me ta përmes mediave . Ai nuk ka bërë përpjekje asnjëherë ndonëse ishte premtim parazgjedhor, nuk ka bërë përpjekje që të bëjë dialog me serbët lokal. Paramendo si ndihen serbët që jetojnë në veri dhe si ndjehen ata që jetojnë në jug”, tha ajo.
Sipas Rrustes qasja e kryeministrit Kurti në raport me çështjet politike është e papërgjegjshme, shkruan Tëvë1.
“Pasiguri totale kur një kryeministër i cili pretendon me qenë i tyre sillet në atë mënyrë të papërgjegjshme në raport me çështjet politike… Çdo gjë që ka thënë nuk e ka mbajtur. Në këtë rast serbët lokal nuk kanë zë të tyre. Serbët lokalë nuk janë të manipuluar sepse është një mënyrë shumë e keqe kur iu drejtohesh si njerëz të manipuluar nga Beogradi. Ata nuk janë njerëz të manipuluar ata e votojnë Listën Serbe jo vetëm pse janë të kushtëzuar por edhe sepse besojnë në ta”, shtoi Rrusta.