Deputeti i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ETIAS nuk mund të kthehet e as të shërbej si kusht politik për liberalizimin e vizave, përcjell InLajmi.
Me këtë rast, sipas Tahirit Kosova duhet t’i i drejtohet Presidencës Çeke për të sqaruar se Kosova ka përmbushur kriteret e BE-së më shumë sesa vendet e tjera të rajonit.
“Në lidhje me diskutimin e sistemit ETIAS, si një lloj kushti në dukje teknik nga ana e BE-së, institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i drejtohen zyrtarisht përmes një deklarate Presidencës Çeke dhe ti sqarojnë BE-së se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin’, është shprehur Tahiri.
Postimi i plotë i deputetit Besnik Tahiri:
Ta sqarojmë me BE-në
ETIAS-i nuk duhet të kthehet dhe as të shërbejë si kusht politik.
Në lidhje me diskutimin e sistemit ETIAS, si një lloj kushti në dukje teknik nga ana e BE-së, institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i drejtohen zyrtarisht përmes një deklarate Presidencës Çeke, se në këtë proces :
- Kosova ka përmbushur kushte më shumë se vendet e rajonit;
- Se edhe pas liberalizimit zotohet se do t’i zbatojë të gjitha kushtet dhe standardet të cilat do të vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke konkluduar se nëse vazhdon qasja asimetrike e BE-së dhe vendeve anëtare ndaj Kosovës, kjo mund t’i shërbejë këtij procesi teknik, por njëkohësisht është goditje mbi optimizmin dhe kredibilitetin e procesit evropian në mesin e qytetarëve të Kosovës. Sepse opinioni i gjerë konsideron se zvarritja e liberalizimit është krejtësisht politizues.
Do t’i propozoj Kryetarit Konjufca, që t’i drejtohet me shkresë homologut të tij çekë, dhe francezë si dhe institucioneve respektive të BE-së rreth kësaj situate diskriminuese.
Përndryshe, për ata që nuk kanë njohuri, ETIAS është:
– ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Bashkimi Evropian e ka krijuar këtë program për të mbrojtur dhe forcuar kufijtë e tij. Pra, është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen. Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë.
– ETIAS-i është vonuar disa herë dhe mund të shtyhet sërish. ETIAS-i fillimisht ishte menduar të lansohej në fillim të vitit 2022, megjithatë, pas disa pengesave për shkak të pandemisë me Covid-19 dhe çështjeve të tjera kundërshtuese, BE-ja ka ngadalësuar planet e zbatimit të tij. Vonesa e parë ishte nga viti 2022 deri në janar 2023, vonës a e dytë ishte për në maj 2023 dhe e treta ishte në nëntor 2023. /InLajmi/