Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për kërcënim të mësimdhënësve, duke thënë se kryministri i vendit në në vend të përafrimit kërkon tensione, përcjell InLajmi.
Më tutje i pari i LDK-së thotë se kryeministri i vendit në këtë kohë krize ekonomike dhe një dimri të vështirë ka vendosur t’i tregoj dhëmbët me mësimdhënësit me shtresen më të goditur nga kriza.
Sipas Abdixhikut pagat e mësimdhënësve do të paguhen heret apo vonë, ai thotë se këtë le ta marrin si zotim të LDK-së.
Postimi i plotë i tij:
Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël.
Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza.
Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave.
Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.
Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat.