Pianistja, Fjolla Sadiku Bajrami, në një intervistë për Gazetën InLajmi, ka folur për pasionin e saj ndaj pianos, përkushtimin dhe dashurinë ndaj nxënësve pianist të ardhshëm, por edhe për sfidat e saj si nënë, mësimdhënëse e bashkëshorte.
Gazeta InLajmi: Përveç metodave arsimore si e dallon talentin e fëmijëve?
Fjolla Sadiku Bajrami: Talentin e fëmijëve e dalloj përmes natyralitetit që ata e tregojnë gjatë lojës, tingullit dhe mënyrës se sa shpejtë ata i kuptojë mësimet që ua shpjegoj.
Gazeta InLajmi: Cila është mosha më e përshtatshme që fëmijët të fillojnë të ushtrojnë pianon?
Fjolla Sadiku Bajrami: Në gjithë botën e sidomos në vendet ku kultura është shumë e zhvilluar, nëse për një fëmijë synohet që të ketë një të arritje të madhe si pianist, është mirë të fillohet nga mosha 3 vjeçare. Por kuptohet që nga mosha 3-7 vjeçare është tjetër metodë e arsimimit, delikate , intensive dhe e përcjellur me ngjyra , figura e lojë që fëmija të mësojë të luajë piano ashtu siç luan me lodrat tjera. Kjo moshë është perfekte që të merren mësimet e pianos përmes lojërave sepse arrihet natyraliteti i lojës sa më herët. Në shkollat e shtetit të muzikës, mësimet fillojnë nga mosha 7 vjeçare sepse është më e lehtë të punohet me ta për shkak se veç dinë të shkruajnë dhe të lexojnë .
Gazeta InLajmi: Me çfarë ndjenje të mirë mund ta krahasosh luajtjen në piano?
Fjolla Sadiku Bajrami: Me ndjenjën e paqes, me ndjenjën e krenarisë, energjisë së thellë, adrenalinë e pafund. Ndjenjë shumë e bukur e pa përshkruar me fjalë …. Me ndjenjën e së të mirës në mënyrë të përgjithësuar.
Gazeta InLajmi: A është e vështirë të koordinosh jetën si nënë dhe si profesioniste?
Fjolla Sadiku Bajrami: Duhet të koordinohet mirë jeta si nënë dhe si profesioniste por e kam vërejtur që kur jam e sistemuar në ushtrimet e përditshme të pianos dhe obligimet me fëmijët i menaxhoj shumë më mirë sepse krenaria që po merrem me profesionin tim, që po bëj një punë të mirë reflekton dhe tek fëmijët e mi. Me këtë dua t’i përgjithësoj dhe t’i jap një mesazh te të gjitha nënave ambicioze që më mirë është koha jonë të ndahet në disa orë për arritje profesionale pastaj koha tjetër përmbushje familjare apo gjëra tjera të nevojshme sepse mirëqenia jonë personale reflekton shumë në familje.
Gazeta InLajmi: Çfarë këshille ke për personat të cilët kanë pasion pianon?
Fjolla Sadiku Bajrami: Këshilla ime për personat të cilët kanë pasion pianon është të ndjekin mësime për piano pavarësisht moshës, nëse jo të bëhen pianistë, të dinë të luajnë së paku një melodi sepse tingujt e pianos, ndjesia e të prekurit tastin e pianos ndjell pozitivitet në trupin dhe mendjen tonë ./InLajmi/