Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin fillimisht e ka uruar për detyrën e re si president, ndërsa i ka ofruar mbështetjen e partisë së tij në avancimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka thënë se gjatë takimit me Begajn e ka uruar edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu kreu i PDK-së, i ka falënderuar presidentin e Shqipërisë për angazhimin e shtetit shqiptar për dërgimin e rezolutës në Këshillin Evropian.
Postimi i plotë i tij:
Kënaqësi e veçantë të takoj Presidentin e sapo zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilin e urova për detyrën e re dhe i ofrova mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës, në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Po ashtu, në këtë takim, Presidentin e urova edhe për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e cila është jo vetëm arritje e madhe për shtetin shqiptar, por edhe një hap i rëndësishëm për tërë rajonin në avancimin e kërkesave dhe të drejtave tona.
Presidentin Begaj e falënderova për angazhimin dhe kontributin e shtetit shqiptar për hartimin e Rezolutës dhe dërgimin e saj në Asamblenë e Këshillit të Evropës që ka për synim vërtetësinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /InLajmi/