Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar qeverinë për situatën e rënduar energjetike në vend, kjo tha ai është e gjitha pasojë e keqmenaxhimit, raporton InLajmi.
“Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhim i keq i kësaj qeverie, të kesh reduktime në gusht faji dihet ku është, paaftësia e kësaj qeverie”, është shprehur Haradinaj, pas takimit me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.
Haradinaj në pika të shkurta njoftoi edhe për temat të cilat i kanë diskutuar me presidentin shqiptar Bajram Begaj, ndërsa sipas tij me interes ka qenë diskutimi për situatën e sigurisë në vend e rajon, ndihma e Shqipërisë për Kosovën në politikën ndërkombëtare sikur edhe për dialogun me Serbinë.
Tutje ka shtuar i pari i AAK-së, se gjatë takimit me presidentin shqiptar kanë diskutuar edhe për çështjen e shtetësisë për të gjithë shqiptarët, që është një e drejtë meritore.
Haradinaj bëri të ditur se me presidentin Begaj kanë folur për bashkëpunimin në fushën e energjisë për tejkalimin e situatave dhe krizave energjetike, por siç tha ai vetëm blerja apo shitja e energjisë në situata krize mes 2 vendeve nuk mjafton.
Haradinaj, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të dakordohen për investime të përbashkëta në sektorin e energjisë, e mos të mbetet bashkëpunimi vetëm në blerje shitje të energjisë. /InLajmi/