Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “barbarizëm” pas sulmit me raketa në portin e Odesës, duke vënë në pikëpyetje marrëveshjen historike për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës, e nënshkruar disa orë përpara sulmit.
Edhe SHBA përmes sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dënoi sulmin rus në portin e Odessa dhe theksoi se kjo vë dyshim besueshmërinë e Moskës.
Ukraina është një eksportues kryesor i drithit, por për shkak të luftës, rreth 20 milionë tonë drithë janë bllokuar në portet e saj, në pamundësi për t’u larguar për shkak të forcave ruse. Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht varet nga Ukraina dhe Rusia për grurin, shkruan A2CNN,
Ndërkaq Kievi akuzon se rusët kanë rrëmbyer të paktën 415 persona në rajonin jugor të Zaporizhzhia që nga 24 shkurti, dhe të paktën 170 janë ende në robëri. Kjo u pretendua nga guvernatori i rajonit Oleksandr Starukh, siç raportohet nga “Kiev Indipendent”.