Ukraina i ka kërkuar Turqisë të ndalojë anijen e ngarkesave me flamur rus Zhibek Zholy.
Anija supozohet se përmban një ngarkesë gruri të marrë nga porti i pushtuar nga Rusia i Berdyansk në jug-lindje.
Ministria e Jashtme e Ukrainës, duke cituar informacionin e marrë nga administrata detare e vendit, tha se Zhibek Zholy kishte marrë rreth 7 mijë tonë drithëra.
Së fundmi ka mbërritur në portin turk të Karasu në Detin e Zi, shkruan Reuters.
Kjo vjen pasi më herët u raportua se Rusia ka filluar transportimin e grurit nga territoret e pushtuara në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Kievi ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Rusinë për vjedhjen e grurit nga zonat e pushtuara, gjë që Moska e ka mohuar – por megjithatë frika nga mungesa e ushqimit është rritur.